Paralajmërohet protestë pas plagosjes së dy të rinjve serbë në Shtërpcë


E shtunë, 7 Janar 2023

SHTËRPCË – Kryetari i Komunës së Shtërpcës, që është edhe nënkryetar i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq, ka bërë thirrje për dalje në protestë pas plagosjes së dy të rinjve serbë në këtë komunë.

Ai ka shkruar në rrjetin social Facebook se protesta do të mbahet të dielën në ora 12:00, para Shtëpisë së Kulturës në Shtërpcë, komunë kjo e banuar me shumicë serbe.

Jevtiq tha se dy të rinjtë janë jashtë rrezikut për jetë, por se sulmi ndaj tyre “është sulm ndaj secilit prej nesh”.

Më 6 janar Policia e Kosovës (PK) njoftoi se dy persona, njëri rreth 11-vjeçar dhe tjetri rreth 21-vjeçar, janë plagosur me armë zjarri, në fshatin Drajkovc të kësaj komune.

Sipas njoftimit, ndaj tyre është shtënë me armë zjarri nga të dyshuar, të cilët ishin me një automjet të udhëtarëve në lëvizje, që po qarkullonte nga Shtërpca në drejtim të Ferizajt.

Lidhur me rastin PK ka identifikuar e më pas kanë arrestuar të dyshuarin me inicialet A.K. i moshës 33-vjeçare.

Etiketa: , , ,
Të fundit