Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Parlamenti Europian voton në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën

Prizren Post | 13:20 - 28.03.2019

STRASBOURG – Parlamenti Europian ka votuar në favor të heqjes së regjimit të vizave për Kosovën.

Këtë e ka bërë të ditur raportuesja për Kosovën në PE, Tanja Fajon, e cila ka thënë se e inkurajon Këshillin Europian që të veprojë tani.

Ky votim ka qenë pjesë e një hapi ligjor, në mënyrë që të vazhdohet mandati i këtij procesi edhe në kohën e tranzicionit, pasi zgjedhjet në Bashkimin Europian do të mbahen në muajin maj.

Procesi i liberalizimit të vizave ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Europian ka filluar në vitin 2012. Bashkimi Europian i kishte vënë Kosovës si detyrë të plotësojë 95 kritere për të marrë rekomandimin pozitiv për liberalizim të vizave nga Komisioni Europian.

Një rekomandim të tillë, Komisioni Europian e ka bërë në korrik të vitit 2018, ndërkaq në shtator të po atij viti, Parlamenti Europian kishte votuar në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën, njofton Klan Kosova.

Në muajin dhjetor të vitit të kaluar, Këshilli i Ministrave nuk e vendosi fare në agjendën e takimit të tyre çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Kosova është vendi i vetëm në rajon, qytetarët e së cilës i nënshtrohen regjimit të vizave në zonën Shengen.


Etiketa:
Arivisti Company