Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Partia austriake në Parlamentin Evropian: Kosova, çerdhe e ISIS-it

Prizren Post | 13:54 - 21.01.2016

Bruksel – Edon Cana, konsull i Kosovës në Strasburg, në emisionin “Info – Box” të RTV Dukagjini, ka theksuar se ratifikimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit (MSA) me Kosovën, nga ana e Parlamentit Evropian, ka dëshmuar për përkrahjen që e gëzon Kosova në këtë mekanizëm.

Sipas tij, partitë parlamentare evropiane u pajtuan se ratifikimi i kësaj marrëveshje është një ditë historike për Kosovën, për çka dëshmon edhe votimi i deputetëve të PE-së.

“Kishte disa zëra kundër, si rasti i deputetëve të Partisë së Lirisë – parti austriake, ku u tha se Kosova do të jetë çerdhe e ISIS-it në Evropë… Kosova rrezikon të bëhet një bazë e rekrutimit të terroristëve”, ka theksuar Cana.

Sipas tij, kemi pasur edhe rastin e partive destruktive greke.

“E majta dhe e djathta ekstreme, kanë lëshuar deklarata të llojit se po mbështetet imperializmi amerikan përmes përkrahjes se Kosovës, deri e djathta ekstreme greke e cila e ka qortuar injorancën e Evropës sipas tyre, që e ka lënë Kosovën të formohet si shtet”, ka shtuar Cana.

Ndryshe, Parlamenti Evropian ka votuar me shumicë absolute prej 486 vota për dhe 102 kundër, ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit me Kosovën. /Telegrafi/


Etiketa:
Arivisti Company