E enjte, 24 Prill 2014
Shkup, 24 prill – Mundësia që një parti humbëse shqiptare të përfshihet në Qeverinë e ardhshme në Maqedoni do të mund të shkaktonte krizë politike, ndër të tjera duke mundësuar që lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski të sillet si padron i partive shqiptare.
Analistë politikë theksojnë se assesi nuk duhet hequr dorë nga parimi i pashkruar që fituesi i zgjedhjeve nga pala maqedonase të ftojë në bashkëqeverisje fituesin nga kampi politik shqiptar. Analisti politik Alajdin Demiri mendon se shumë prej zhvillimeve të fundit i shikon në kuadër të retorikës së fushatës zgjedhore.
“Kërkesën e Gruevskit për të pasur 62 deputetë, kërkesën e Ali Ahmetit që të ketë 25 deputetë, vlerësimet e Menduh Thaçit se do të hyjë në Qeveri qoftë edhe me një deputet, nëse nuk janë fushatë, janë rrezik për shpërbërjen e partive politike shqiptare.
Në këtë rast, Gruevski rrezikon që të paraqitet si një menaxhues dhe udhëheqës i partive shqiptare”, ka deklaruar Demiri, për “Zhurnal”.
Teorikisht ka mundësi që edhe Thaçi të hyjë në Qeveri, ashtu siç thotë BDI, si një degë dhe si partner i VMRO-së dhe pastaj të bisedohet për koalicion, që është pak e besueshme, vlerëson analisti Demiri.
“Por, shikuar praktikën dhe apetitet e partive politike shqiptare mendoj se kjo është e mundshme. Duke hequr dorë nga çdo gjë që është politike, duke hequr dorë nga çdo gjë reale dhe duke u marrë me një burokraci politike për interesa partiake”, ka thënë Demiri. Ai thotë se të gjitha këto janë të mundshme nëse dalin rezultatet ashtu siç janë paraparë.
Ndërsa, analisti Albert Hani thekson se ende nuk mund të flitet për koalicion parazgjedhor jashtë kornizave etnike, për shkak se zgjedhjet në princip janë tërësisht etnike.
Kjo ndodh pavarësisht se koalicionet jo-principiele të partive politike që dallojnë në ideologjitë e tyre, funksionojnë me vështirësi të mëdha.
“Realiteti në Maqedoni dallon edhe koalicione ndëretnike. Pas pavarësimit të Maqedonisë u zhvillua një praktikë zgjedhore që nënkuptonte se partitë politike fitues të dy komuniteteve më të mëdha e ndajnë pushtetin.
Nëse tani partia fituese bën koalicion ndëretnik me parti politike e cila nuk e ka fituar besimin në kampusin politik shqiptar, jo vetëm që nuk do ta ndjek praktikën e mëparshme fer dhe demokratike por edhe do ta nënçmojë dëshirën e shumicës së popullatës shqiptare”, thekson Hani, për “Zhurnal”.
Kjo nënkupton shqetësim dhe destabilizim të votës shqiptare që mund të sjell në turbulenca infra-etnike. Hani thekson se koalicione të tilla kanë dështuar edhe më parë dhe do dështojnë sërish, nëse e kemi parasysh se shumica e pushtetit lokal ndodhet në duart e shumicës shqiptare, në këtë rast të BDI-së.
“Ekzistojnë mekanizma për ta bllokuar këtë bashkëpunim por jam i sigurt nëse një konflikt i tillë nuk do ti leverdiste shtetit në përgjithësi”, thekson Hani. Në anën tjetër, analisti Alajdin Demiri thekson se gjatë fushatës u hapën shumë probleme të reja, posaçërisht aferat e korrupsionit të kryeministrit Gruevski.
“Këto afera nëse nuk ndikojnë në këtë fazë në rezultat, do të ndikojnë në fazën pas zgjedhjeve. për arsye se drejtësia nuk do që të merret me këto afera para fushatës, do të duhet patjetër që të merret pas fushatës dhe kjo do të jetë jo pjesa e rëndë e qeverisjes së Gruevskit”, vlerëson Demiri. (A.F.)
Etiketa: Gruevski, Maqedoni, Shqiptarët