Partitë politike të painteresuar për ligjin rreth tyre


E premte, 1 Korrik 2016

partite

Prishtinë – Kosova ende nuk ka ligj për partitë politike dhe arsyeja për këtë thuhet të jetë mos interesimi i partive politike, pasi me një ligj të tillë partitë politike do të detyroheshin të jenë më transparente, sidomos në çështjen e financimit.

Njohësi i kësaj fushe, Driton Selmanaj nga organizata Democracy Plus (D+), në një prononcim për Telegrafin ka thënë se është domosdoshmëri e kohës që vendi ynë ta ketë një ligj i cili normon funksionimin e partive politike në Kosovë.

Sipas tij, s’ka asnjë kuptim logjik që ky segment shoqëror edhe më tutje të rregullohet me legjislacion sekondar (rregullore,udhëzime administrative etj).

“Ky ligj do të duhej të rregullonte të gjitha çështjet që prekin funksionimin e subjekteve politike në vend, duke u nisur nga: regjistrimi, struktura, orientimet ideologjike, zgjedhjet e brendshme e deri tek kufizimet dhe sanksionet ndaj atyre subjekteve që ushtrojnë veprimtari në kundërshtim me rendin juridik dhe kushtetues në vend… Pos nevojës për miratimin e një ligji të tillë Kosova ka nevojë për iniciativa që kodifikojnë materien që ka të bëjë me zgjedhjet në vend, ku pjesë e saj padyshim do të ishte edhe ligji për subjektet politike”, tha ai për Telegrafin.

Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës, Basri Musmurati, në një prononcim për Telegrafin tha se është i angazhuar që për partitë politike të hartohet një ligj i veçantë.

“Jemi të angazhuar që për partitë politike të hartohet e miratohet ligj i veçantë ku do të rregulloheshin shumë çështje për organizimin, funksionimin dhe rolin e partive politike. Në këtë drejtim partitë politike do të duhej të japin qëndrimet e tyre për këtë ligj”, tha ai për Telegrafin.

Ndërsa, për mungesën e këtij ligji Musmurati tha se përgjegjësinë e mbajnë jo vetëm partitë politike, por edhe Qeveria dhe Kuvendi.

“Sigurisht se një ligj i tillë jo vetëm se do t’i detyronte partitë politike të kenë një transparencë të plotë dhe një zhvillim të demokracisë edhe përbrenda subjektit politik, por do të ndikonte edhe në përgjegjësitë më të mëdha të deputetëve në Kuvendin e Kosovës”, tha ai.

Të fundit