Pas miratimit të rezolutës që njeh gjenocidin në Srebrenicë, Dodik thotë se serbët do të shkëputen nga Bosnja


E premte, 24 Maj 2024

BANJA LUKA – Në 30 ditët e ardhshme, Qeveria e Republikës Sërpska (RS) do të krijojë një marrëveshje që do t’i dërgohet entitetit tjetër të Bosnjës, Federatës së Bosnjës e Hercegovinës, për “ndarje paqësore”, njoftoi kryeministri i RS-së, Radovan Vishkoviq, pas mbledhjes së Qeverisë së Republikës Sërpska në Srebrenicë të enjten, më 23 maj.

Seanca e Qeverisë u mbajt në prag të seancës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), në rendin e ditës të së cilës është edhe rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë.

“Kjo nuk është shkëputje, ndarja paqësore nuk është shkëputje. Ndarja paqësore është e drejtë e garantuar me Kushtetutë. Ne do të ofrojmë atë, nëse na konsideroni komb gjenocidal, që nuk jemi, atëherë nuk kemi pse të jetojmë së bashku”, tha Vishkoviq, pa dhënë detaje të tjera për hapat që do të ndërmarrin.

Presidenti i RS-së, Millorad Dodik, po ashtu mori pjesë në mbledhjen e ekzekutivit.

“Asnjë entitet nuk mund të kryejë shpërbërje paqësore”

Asnjë entitet i vetëm, asnjë komb i vetëm nuk mund të kryejë shpërbërjen paqësore në Bosnje dhe Hercegovinë. Kështu i tha Radios Evropa e Lirë, Nedim Ademoviq, ekspert i së drejtës kushtetuese, duke komentuar vendimin e Qeverisë së Republikës Sërpska.

“As entitetet dhe as popujt nuk kanë asnjë të drejtë në atë kuptim, as të drejtën e vetëvendosjes. Ky është një qëndrim i qartë dhe vendimtar. E vetmja që mund ta bëjë këtë është Bosnje dhe Hercegovina, pra Asambleja Parlamentare e BeH-së. Në kuadër të procedurës kushtetuese, organi më i lartë legjislativ dhe ligjor i BeH-së mund të ndryshojë Kushtetutën e BeH-së. Kur të ndryshohet Kushtetuta, mund të ndryshohet struktura e brendshme”, tha Ademoviq.

Ai shtoi se vendimi i Qeverisë së RS-së ishte “absolutisht jokushtetues” dhe se “të gjithë në Bosnje dhe Hercegovinë e dinë këtë, veçanërisht Milorad Dodik”.

“Kjo nuk është hera e parë që Federatës së Bosnjë e Hercegovinës i ofrohet një marrëveshje për ndarje paqësore, e cila më pas, ashtu si edhe në të ardhmen, do të dështojë dhe nuk do të ketë asgjë. Prandaj, është thjesht spekulim i pastër spekulime dhe nuk ka asgjë serioze”, theksoi Ademoviq.

Etiketa: , , ,
Të fundit