E diel, 23 Shkurt 2014
Pa bërë zhurmë, demokratët kanë filluar punën për të diskutuar me krerët e komunave dhe të bashkive të djathta rreth problematikave që i shqetësojnë dhe çështjet e kompetencave. Një javë pasi PS-ja mblodhi në Akademinë e Arteve krerët vendorë të majtë, të njëjtën nismë ka realizuar edhe PD-ja, por vetëm me ata të qarkut të Durrësit.
Deputeti Eduard Halimi ka pasur një takim pune me krerët e komunave dhe të bashkive të djathta të qarkut të Durrësit. Ky fakt pohohet edhe nga deputeti Halimi. “Sot pata një takim pune me kryetarët e bashkive dhe komunave të rrethit Durrës, ku biseduam për problemet që ata po hasin me mungesën e autonomisë lokale dhe arbitraritetin e kryeministrit në shkeljen e parimeve kushtetuese të administrimit të territorit dhe veprimtarisë fiskale”, njofton Halimi. Burime nga e djathta bëjnë të ditur se pjesë e diskutimeve kanë qenë edhe problemet e kryerjes së shërbimeve ndaj qytetarëve si dhe legalizimet në Bashkinë e Sukthit. Me qëndrimin e PDIU-së për të marrë pjesë në procesin për reformën zgjedhore, sikurse mori pjesë përfaqësuesi i saj në grupin e punës së Këshillit të qarkut të Tiranës, PD-ja nuk do të mund që të bllokonte reformën territoriale. Në qëndrimin e saj, grupi parlamentar demokrat e kushtëzoi pjesëmarrjen e saj në procesin e ndarjes së re territoriale me tërheqjen e mazhorancës nga ligji i nëpunësit civil, ndërprerjen e procedurave parlamentare ndaj kreut të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Parandalimit të Konfliktit të Interesave, si dhe tërheqjen nga amendamenti në ligjin për Autoritetin e Mediave Audiovizive (AMA). Por, një prej tyre, ajo për shkarkimin e Inspektores së Përgjithshme të ILDKP-së është i pamundur që të realizohet, pasi është emëruar edhe pasardhësi i saj. Janë pikërisht dy pikat e mbetura ato që do të vijojnë të mbajnë ende në “ngërç”, konsensusin midis mazhorancës dhe opozitës, duke rrezikuar edhe kapjen e afateve kohore të parashikuara.
Afatet kohore të nismës
Ligji i ri për ndarjen administrative pritet të miratohet vetëm në shtatorin e vitit 2014. Qeveria ka parashikuar në draftin për “Kriteret dhe metodologjinë që do të ndiqet për ndarjen e re administrativo-territoriale të Republikës së Shqipërisë”, që pas konsultimeve, Ministri i Shtetit përgatit projektligjin “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë” me propozimin për hartën e re të ndarjes administrativo-territoriale dhe ia dërgon për miratim Këshillit të Ministrave brenda datës 15 shtator 2014. Nisma për ndarjen e re administrativo-territoriale parashikon që brenda datës 10 prill 2014 Komitetet Rajonale miratojnë dhe dërgojnë pranë Ministrit të Shtetit propozimet e hartës së re të ndarjes administrativo-territoriale për çdo qark. Nëse nga Komitetet nuk respektohet afati i mësipërm, prefektët brenda datës 15 prill 2014 miratojnë dhe dërgojnë pranë Ministrit të Shtetit propozimet për çdo qark të hartës së re të ndarjes administrativo-territoriale. NJQV-të që kanë ndërmarrë procesin vullnetar duhet që brenda datës 10 prill 2014 të dorëzojnë pranë Ministrit të Shtetit propozimet përkatëse të cilat duhet të kenë kaluar procesin e konsultimit publik. Qëllimi i këtij ligji është përcaktimi i kritereve dhe metodologjisë për ndarjen e re administrativo-territoriale të Republikës së Shqipërisë si dhe instrumentet dhe afatet kohore që nevojiten për realizimin e këtij qëllimi. Në nenin 4 të këtij ligji thuhet se brenda 15 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji, për mbikëqyrjen e procesit të ndarjes administrativo-territoriale, Kuvendi krijon një Komision të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, me bashkëkryesim të përfaqësuesit të mazhorancës dhe opozitës parlamentare. Në 12 qarqet e vendit, me urdhër të Prefektit të Qarkut, krijohen Komitetet Rajonale të Reformës Administrativo-Territoriale. Komitetet Rajonale kanë këtë përbërje: Prefekti i Qarkut që do jetë kryetar dhe anëtarë të thjeshtë, tre kryetarë/këshilltarë bashkie/ komune nga e djathta dhe e majta. Bazuar në propozimet e ardhura nga 12 komitetet rajonale ose prefektët dhe pasi shqyrton përputhshmërinë e propozimeve me kriteret dhe afatet e këtij ligji, Ministri i Shtetit i paraqet për shqyrtim Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo- Territoriale propozimet për hartën e re administrativo-territoriale për nivelin e parë të qeverisjes vendore./shekulli/