KB Peja nuk do të udhëton për në Izrael?


E martë, 18 Mars 2014

Se banorëve të Kosovës mund t’u ndodhin gjëra nga më të çuditshmet dëshmon më së miri edhe rasti i basketbollistëve të Pejës, të cilët sot është dashur të luajnë ndeshjen e Ligës Ballkanike kundër skuadrës izraelite Galil Gilboa. Ndeshja të paktën sot nuk do të zhvillohet pasi ekspedita e Pejës nuk është pajisur me viza.

“Ambasada e Izraelit e cila është dashur të na lëshojë vizat, është në grevë që nga fillimi i muajit dhe kjo na ka pamundësuar që të pajisemi me viza, kështu që nuk mund të udhëtojmë. Kemi kontaktuar me drejtues të Ligën Ballanike dhe FIBA-n, të cilët na thanë se për viza, ekipi e cila udhëton është përgjegjëse. Mirëpo, në këtë rast, duke i marr parasysh rrethanat e krijuara është parë mundësia që ndeshja të shtyhet.

Problemi është se Federata e Basketbollit e Izraelit ka një kalendar shumë të ngjeshur sikur edhe kalendari i gjyqtarëve, prandaj mund të ndodhë që ndeshja të regjistrohet me rezultat zyrtar 20:0, por ne do ta merrnim një pikë si humbës”, theksoi kryetari i KB Peja, Art Gashi. Peja është në vend të parafundit me 20 pikë të mbledhura. Sipas Gashit “ ende nuk e kemi marrë zyrtarisht anulimin e ndeshjes. Gara e rregullt përfundon në javën tjetër, prandaj për ta shtyrë një ndeshje është dashur të ndërrohet i gjithë kalendari duke përfshirë edhe çerekfinalet. Ndeshje përcaktuese për ne është kundër Ballkanit në Botevgrad në javën e fundit. Në rast të fitores ne do të renditemi në çerekfinale”.

Sa i përket pikëve është e qartë se as pejanët nuk kanë llogaritur në to duke e ditur cilësinë e kundërshtari, ndërkohë që është tejet e rëndësishme që kjo skuadër ta merr një pikë si skuadër që e ka humbur ndeshjen me lojë./zeri/

Të fundit