Për 9 muaj evidentohen 6 shkelje ligjore nga ­Kuvendet e Komunave të mëdha të Kosovës


E enjte, 22 Tetor 2015

Kuvendet e Komunave të mëdha të Kosovës në nëntë muajt e parë të këtij viti në raste të caktuara kanë marrë vendime që nuk janë në përputhje me dispozitat e legjislacionit në fuqi. Gjatë kësaj periudhe kohore, në bazë të vlerësimeve të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal del se në KK-në e Gjakovës janë evidentuar dy shkelje ligjore, derisa në ata të Prishtinës, Prizrenit, Ferizajt dhe Gjilanit janë gjetur nga një shkelje ligjore, ndërkohë që në KK-në e Pejës dhe atë të Mitrovicës jugore nuk është identifikuar asnjë shkelje.

Sipas informatave të marra nga MAPL-ja, KK-ja e Prishtinës dhe ajo e Gjakovës nuk kanë adresuar nga një vendim me shkelje, derisa KK-ja e Prizrenit, Ferizajt dhe Gjilanit kanë ndërmarrë veprime korrigjuese për harmonizimin e akteve me legjislacionin në fuqi.

MAPL ka sqaruar se në KK-në e Prishtinës gjatë periudhës janar-shtator 2015, është konstatuar një shkelje ligjore.
“Vendimi i mbledhjes së jashtëzakonshme të mbajtur më 14.01.2015, që anëtarët e komisioneve të aksionarëve të ndërmarrjeve publike komunale të sjellin informatë me shkrim para anëtarëve të Kuvendit brenda 7 ditësh për çdo veprim të marrë deri me sot. MAPL më datën 12.02.2015, i ka dërguar shkresën KK-së së Prishtinës për ta harmonizuar aktin, por KK-ja nuk ka ndërmarrë asnjë veprim lidhur më këtë shkelje”, thuhet në shkresën e kësaj ministrie.

Në vendimmarrjen e KK-së së Gjakovës MAPL ka konstatuar dy shkelje ligjore:
“Vendimi 01 Nr.-01-31359 i Kuvendit të Komunës së Gjakovës i miratuar më 29.04.2015 për ndryshimin dhe plotësimin e statutit të komunës. MAPL shkresën ia ka dërguar komunës më 22.05.2015, por komuna nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për ta rishqyrtuar aktin”.
“Vendimi nr. 011-43953, për themelimin e grupit punues për hartimin e rregullores për bashkësi lokale në mbledhjen e mbajtur më 30.06.2015. MAPL shkresën ia ka dërguar komunës më 03.08.2015, kurse Kuvendi i Komunës së Gjakovës në mbledhjen e mbajtur më 28.09.2015, e ka shfuqizuar vendimin në përputhje më kërkesën e MAPL-së për rishqyrtim”.

Në Prizren, MAPL ka kthyer në rishqyrtim një vendim:
“Vendimi Nr.01/011-011-157145 për këmbimin e pronës komunale i miratuar më 27.08.2015, ndërsa shkresa nga MAPL i është dërguar komunës së Prizrenit me datën 10.09.2015. Kuvendi i Komunës së Prizrenit në mbledhjen e mbajtur më 17.09.2015, e ka rishqyrtuar vendimin dhe e ka harmonizuar sipas kërkesës së MAPL-së”.

Ndërkaq në Ferizaj, pas vlerësimit të ligjshmërisë, MAPL ka kthyer prapa një rregullore:
“Rregullorja për dekorata e KK Ferizaj e miratuar në mbledhjen e mbajtur më 04.03.2015, MAPL- shkresën ja ka dërguar komunës së Ferizajt më datën 17.03.2015, ndërsa Kuvendi i Komunës e ka rishqyrtuar dhe harmonizuar rregulloren më datën 31.04.2015”.

Në Gjilan, MAPL ka kthyer në rishqyrtim një vendim:
“Vendimi për dhënien në shfrytëzim të ngastrës kadastrale P-70403013-00162-8 me sipërfaqe prej 233 metra katror, në mbledhjen e mbajtur më 27 janar 2015, Kuvendi i komunës së Gjilanit e ka rishqyrtuar dhe harmonizuar aktin në mbledhjen e mbajtur më 26 shkurt 2015”.

Në anën tjetër gjatë vlerësimit të ligjshmërisë se akteve të komunës së Pejës dhe Mitrovicës Jugore, MAPL ka bërë të ditur se nuk ka evidentuar asnjë shkelje ligjore.

Bazuar në këto të gjetura, EC Ma Ndryshe konsideron se KK-të e lartpërmendura duhet të jenë më të përgjegjshme gjatë vendimmarrjes. Po ashtu përkujton se Kuvendi i Komunës është organi më i lartë përfaqësues në nivel lokal dhe se të gjithë anëtarët e KK-ve betohen se do t’i kryejnë detyrat dhe ushtrojnë autorizimet sipas ligjit.

Leave a Reply

Të fundit