Për ku jemi nisur?


E diel, 9 Tetor 2016
Urall BOSHNJAKU

Urall BOSHNJAKU

Në kohën tonë moderne, kohën kur digjitalizimi nuk ka lënë cep pa prekur, mjerisht ne si popull në vend se të merremi me zhvillimin e vendit, kemi telashe më të mëdha me të cilat preokupohemi.
Sot preokupimi ynë kryesor fatkeqësisht ende ngelen spekulimet mediatike me artikuj nga më të ndryshmit që shkruhen në përditshmëri, duke mos e kursyer aspak kohën tonë në leximin e tyre, për të cilat askush nuk do na pyes nesër.

Pikërsiht këta artikuj profesionin e gazetarisë e kanë bërë të hidhur, e mos të themi të pa vlerë për gjeneratat e reja, një pjesë e të cilëve me doemos do jenë trashëgimtarë dhe bartës të rinj të po këtij profesioni.

E cili është kushti i domosdoshëm që një gazetar të jetë i besueshëm dhe i lexueshëm?

Hajde tash, aman të diskutojmë, se me garancë po ua them që është shumë më e rëndësishme se “Dasma e djalit të Shyhretes”.

Pikërisht gazetarët, që nesër do jenë fytyra jonë publike, zëri ynë qe me zor del në shprehje karshi pakënaqësive të shumta që përjetojmë si banorë të këtij shteti, duhet të jenë ata që këto bindje që sot i kemi fituar, të na i ndryshojnë të paktën për 180 shkallë, jo më pak.
Gjeneratat e reja që sot arsimohen, si kusht fillestar duhet ta kenë mësimin se lajmi si lajm, duhet fillimisht të përmbajë akademizëm, e moral, e as që diskutohet fakti që duhet t’u përmbahen parimeve kruciale të gazetarisë, duke bërë kështu që lajmi të bazohet vetëm në fakte dhe argumente, e jo spekulime dhe të pavërteta, thashetheme të shumta ashtu siç janë fjalët e grave, ngasë në këtë mënyrë edhe ata do jenë pjesë e degradimit mediatik kosovar, e që bindeshëm besoj që nuk është dëshira e asnjërit prej nesh që fokusohemi pak në anën tjetër të lajmit dhe jo vetëm pamjen publike e glamuroze të tij.

Qysh nga fundi i muajit shtator, e fillimi i tetorit, portalet tona që përfaqësojnë një pjesë të medias kosovare, pa rreshur as edhe një ditë, na “mahnisin” me artikujt e tyre bombastik, në lidhje me çdo detaj të nuses së Shyhrete Behlulit. Artikujt si: “Çfarë ha reja e Shyhrete Behlulit?”, “Në sa ora zgjohet reja e Shyhretes?”, “Me cilën dorë e preu torten e martesës gruaja e djalit të Shyhretes?”, janë bërë pjesë e pa ndashme e ditës sonë, duke na bërë të servuar me informacione që mjerisht askujt nuk i interesojnë.

Aman të ndalemi, ka ardhë koha që njëherë e mirë të hapim sytë e të shiqojmë nga një dimension tjetër, kah jemi nisë?
Çështje të mëdha po e presin Kosovën tonë, po flitet për Trepçën, për kufijtë, për integrime të reja, e ne nuk na ka ngelë tjetër veç tema e “Nuses së Shyhretes”.

Me të vërtetë, ka ardhur koha kur dikush duhet të ngrejë zërin, e të i thotë “STOP!” kësaj dukurie, përndryshe duhet të kemi dyshim në të ardhmen tonë të ndritur.

*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.

Të fundit