Për të mirën e vendit


E enjte, 10 Korrik 2014
Kushtrim SHALA

Kushtrim SHALA

Tash kur kampionati botëror në futboll po shkon drejt fundit edhe po bëhet më i nxehtë dhe më shumë atraktiv, paralel me të pritet që edhe skena politike në vend të bëhet më e nxehtë dhe me shumë surpriza. Se dinë të prezantojnë lojë të bukur për sy tek populli treguan edhe “futbollistët” e skenës tonë politike. Lojë interesante po vazhdon të zhvillohet tash e disa javë në mes PDK-s dhe bllokut opozitar për “titull kampion”. Nëse inskenohet një skenë futbolli atëherë opozita siç duket ka për trajner z.Albinin Kurtin e kapiten z.Isa Muftafën dhe i cili është edhe mesfushorë njëkohësisht, z. Ramushin e kanë sulmues, e z.Fatmir Limaj mbrojtës, kurse z.Jakupin si më në moshë e kanë vendosur në port. Ekipi i PDK-së ka për trajner z.Hashim Thaqin, e kapiten të ekipit prapë z.Thaqi, e sulmues po ashtu, në mesfushë njëkohësisht është ai, në mbrojte gjithashtu, kurse të tjerët në ekip janë asistues të tij. Kjo skenë është aq komike sa vetë gjithë këta.

Në vitet e ’90 e pas, gjerë më sot, lirshëm mund të thuhet se thënia e veprimtarit të madh Konica, “Në qoftëse Shqipëria do të vdiste ndonjëherë, atëherë në epitafin e saj do të duhet të shkruhej: Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët”, është shumë për t’u analizuar dhe pasur parasysh gjatë këtyre viteve, kur i sheh veprimet e politikanëve shqiptarë.

Në zgjedhjet e fundit në garë ishin rreth tridhjetë (30) alternativa (parti politike), që të gjitha garuan për të fituar, ndarazi. Nuk ishte gara qeveri vs. parti politike, sepse nuk patë një bashkim të subjekteve jashtë qeveris. Megjithatë zgjedhjet e fundit në vend treguan pjekurin demokratike të qytetarëve të Kosovës. Nga gjithsej 1’782’454 votues të regjistruar, në votime dolën 731’248 që e shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike. Faktikisht numri i regjistruar për votues nuk mund të thuhet se është i saktë me realitetin e njerëzve me të drejt vote, më e natyrshme dhe i besueshëm do të ishte, nëse ky numër do të kishte qenë rreth 1’200’000 votues, e në bazë të këtij vlerësimi atëherë lirshëm mund të thuhet se kishte dalje të kënaqshme, që i bije mbi gjysma sepse tek e fundit askund në botë nuk ka dalje qindë për qind (100%) të votuesve, përveç në vende si Korea e Veriut. Nga kjo dalje për PDK-në shkuan 222’181 vota dhe LDK-në 184’594 e kështu më rrallë, rezultati mundet të shihet në faqen zyrtare në internet të KQZ-së. Por një rezultat i cili mund të jep verdiktin përfundimtar se kush ka drejt në situatën e krijuar pas zgjedhjeve mund të jetë i tillë si ky:
Dallimi ne mes te parit me te votuar dhe atij te dytit është 45’406 vota, mes te parit me të votuar dhe atij të tretit 102’860 vota, mes të parit me te votuar dhe atij të katërtit 116’067 vota, mes të parit më të votuar dhe atij të pestit është 139’688 vota, i pari ka 6000 vota më shumë se në zgjedhjet e fundit, i dyti e ka herën e tij të parë në zgjedhje parlamentare në bazë informatave të mija, i treti ka 5’131 më shumë se në zgjedhjet e fundit, i katërtit ka 4’076 më pak se në zgjedhjet e fundit, i pesti ka 48’919 me pak se në zgjedhjet e fundit.

Këto rezultate tregojnë ndarazi se sa kanë mbështetje programet e secilit. Ky është realiteti krejt ndryshe nga ajo që reklamohet. Është e natyrshme që opozita të jetë pjesë e një kompromisi, por assesi te jetë bartëse e përgjegjësive (me këtë rezultat të zgjedhje). Kjo matematike që ata sot e bëjnë nuk gjenë zbatim, ani pse ata shume e dojnë, e thirren për këtë rezultat në emër të Kushtetutës.

Interpretimet e ndryshme të Kushtetutës gjatë këtyre ditëve pas-zgjedhore, nuk mund të quhen gabim nga asnjëri, sepse është vetë kushtetuta që e lenë këtë debat. Tek e fundit Kosova nuk kishte me qenë as vendi i pare e as i fundit ku opozita bënë qeverinë. Por, jo përderisa me Kushtetutë nuk qartësohet diçka e tillë. Zgjedhja e qeverisë është e caktuar në Nenin 95 ku në pikën një (1) thuhet: “Presidenti i Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë”. Këtë pikë në bazë të “Komentarit” të z.Enver Hasani, termi “koalicion” në kuptimin këtij paragrafi në Kushtetutë i referohet një koalicioni parazgjedhor dhe jo një koalicioni pas zgjedhor, ku disa parti politike apo nisma qytetare kanë garuar në një listë të përbashkët deputetësh për Kuvendin e Kosovës. Marrëdhënia e tij me kryeministrin në detyrë do linte për të dyshuar në interpretimin e tij të drejt nëse këtë interpretim do ta thoshte tash, e jo më herët siç e ka thënë. Pastaj në pikën katër (4) të këtij Neni ndër të tjera thuhet se nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë…, kjo lenë të nënkuptohet që logjika e asaj që në Kosovë mandatari duhet të rrjedhë nga shumica e deputetëve si rezultat i një koalicioni pas zgjedhorë kur veç ata i kanë 61 deputetë për formimin e qeverisë, është e pakuptim, nëse duhet të formohen numrat e deputetëve më parë për mandatarin, atëherë pse duhet pika e katër (4), që ka të bëjë me përsëritjen e procedurës.

Është e zakonshme që humbjet, dështimet, politikanët tanë të i kthejnë në tema me titull “për të mirën e vendit”, sot këto veprime e tyre janë totalisht arsyetimi i humbjeve dhe dështimeve për të prezantuar keq qeverisjen para popullit(pa dashur të vlerësoj punë e saj), është paaftësia e tyre për të bërë më shumë, është interesi i tyre mbi gjitha.

Dikur, për VV dhe trajnerin e këtij blloku opozitar z.Kurtin, sulmuesi i tij i tanishëm z.Ramushi ishte përgjegjës për vrasje dhe haraçe, e tash? E mira e vendit në pyetje, sigurisht. Fitimtar i vetëm i kësaj situatë është z.Isa Mustafa sepse me këto veprime që po i bënë e humb fokusin e të tjerëve nga dy herë humbja e tij brenda shtatë (7) muajve, e zbeh AAK-në për aleat të PDK-së, ç’rregullon skenën politike dhe në fund bëhet pjesë e qeverisë vetëm me PDK-në, si zgjidhje e vetme dhe me kompromis për të përmirësuar gjendjen. Humbësit gjithmonë preferojnë zhurmë.

Kushtrim N. SHALA – Ekonomist
*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.

Të fundit