E mërkurë, 30 Mars 2016
Washington – Tre kandidatët republikanë në garën për president në SHBA, në një intervistë të përbashkët në CNN, u tërhoqën nga zotimi i tyre i fillimit të fushatës, se do të mbështesnin të zgjedhurin final në garën për Shtëpinë e Bardhë.
Ted Cruz ishte kandidati i parë për president në radhën e të intervistuarve.
Ai tha se pavarësisht zotimit të tij para 6 muajsh, nuk do ta mbështesë Donald Trumpin.
“Unë nuk mund të mbështes dikë që ka sulmuar gruan dhe familjen time. Familja duhet të mbahet jashtë kësaj gare. Mendoj gjithashtu se zgjedhja e Donald Trump do të ishte si një autogol, pasi do t’i jepte fitoren e përfundimtare Hilari Klintonit”, tha Ted Kruz.
Por përgjigja e Donald Tramp nuk vonoi.
“Unë nuk po kërkoj mbështetjen e tij, nuk kam nevojë që Kruz të më mbështesë. Pasi kam mbështetjen e njerëzve. Do të shohim kush do të zgjidhet, por nëse zgjidhet ai, unë nuk do ta mbështes”, ka thënë Donald Trump, përcjell Shekulli.
Miliarderi amerikan deklaroi gjithashtu se është trajtuar padrejtësisht dhe në mënyrë jo korrekte nga disa figura të partisë së tij.
Ndërkohë kandidati i tretë, Xhon Kasik tha se është “kandidati më i mirë”, edhe pse është lënë në hije në pjesën më të madhe të debateve.