Përçarje në kryesi, LDK nuk e ka të sigurt postin e kryeministrit?!


E enjte, 20 Nëntor 2014

Prishtinë – Lidhja Demokratike e Kosovës, e drejtuar nga Isa Mustafa, pas arritjes së marrëveshjes me PDK-në ka mbajtur sot mbledhjen e Kryesisë. Në këtë mbledhje jo të gjithë anëtarët e Kryesisë kanë qenë pro koalicionit me partinë e Hashim Thaçit.

Kundër ka qenë edhe sot deputetja femër më e votuar në Kosovë Vjosa Osmani. Kategorik kundër këtij koalicioni ka qenë edhe deputeti tjetër, njëherësh anëtari i Kryesisë, Kujtim Shala.

Kështu kanë bërë të ditur burime të Gazetës Blic brenda mbledhjes së sotme të Kryesisë së LDK-së.

Sipas këtyre burimeve, LDK ende nuk e ka aq të sigurt postin e kryeministrit.

“Nuk na treguan saktë se si janë marrë vesh me PDK-në. As për postin e kryeministrit nuk ishin të sigurt. Lutfi Haziri na thoshte se janë marrë vesh për Isën, mirëpo për këtë nuk ishte i sigurt”, ka thënë ky burim i Gazetës Blic brenda takimit të sotëm të Kryesisë.

Ndryshe gjatë ditës së djeshme LDK mblodhi Këshillin e Përgjithshëm vetëm formalisht kinse për të marrë lejen për të biseduar me PDK-në, ndërkohë vetëm pak orë më vonë Isa Mustafa e Hashim Thaçi u morën vesh për bashkëqeverisje.

Ndërkohë Gazeta Blic ka raportuar se marrëveshja është arritur në Berlin javën e kaluar. Sipas burimeve të Gazetës dy liderët u morën vesh vetëm për bashkëqeverisje, por jo edhe për postin e kryeministrit.

Edhe lideri i PDK-së, Hashim Thaçi sot pati takim me strukturat e Kryesisë së partisë, mirëpo nuk foli për kryeministrin se kujt do t’i takoj LDK-së, apo PDK-së. /Gazeta Blic/

Etiketa: ,

Leave a Reply

Të fundit