Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Përfitime të mëdha të Shqipërisë nga gazsjellësi TAP

Prizren Post | 19:05 - 27.06.2013

Tiranë, 27 qershor – Një studim i universitetit prestigjioz anglez të Oxfordit ka përllogaritur në shifra konkrete përfitimet që do të ketë ekonomia shqiptare nga ndërtimi i gazsjellësit transadriatik TAP.

Sipas studimit, vetëm në fazën e ndërtimit, që do të zgjasë nga viti 2015 deri në vitin 2018, gazsjellësi do të gjenerojë 157 milionë euro shtesë në Prodhimin e Përgjithshëm Kombëtar dhe do të krijojë mesatarisht 2 900 vende pune në vit. Por këto janë vetëm përfitimet direkte.

Studimi vë në dukje se ndërtimi do të ketë efekte zinxhir në krijimin e bizneseve të reja, që do përfshihen në aktivitete e lidhura me këtë industri. Kjo, sipas tyre, do të rrisë prodhimin kombëtar edhe me 110 milionë euro të tjera shtesë, duke krijuar edhe 3 900 vende të reja pune.

Por efekti zinxhir i përllogaritur vazhdon, pasi studimi vlerëson se ekonomia do të përfitojë edhe nga shpenzimet e punonjësve të punësuar në projekt ose aktivitetet e lidhura me të. Sipas përllogaritjeve, efekti i tyre do të jetë një tjetër shtesë prej 110 milionë eurosh në prodhim dhe 460 vende të reja pune.

I gjithë ky efekt në ekonomi prek edhe Thesarin e Shtetit, duke gjeneruar sipas studimit 40 milionë euro të ardhura për buxhetin në periudhën 2015-2018. Këto janë përfitime vetëm për tre vjetët e parë të ndërtimit, ndërkohë që në 20 vjet ekspertët e Oxfordit përllogarisin se ekonomia shqiptare do të përfitojë deri në 1 miliardë euro shtesë në prodhim nga projekti.

Ekspertët e Entit Rregullator të Energjisë thonë se ndërtimi i gazsjellësit TAP, i cili përfundon në 1 janar 2019, zbut përfundimisht problemet energjetike të Shqipërisë.

“Cilado që të jetë kërkesa fillestare në Shqipëri, TAP do ta marrë përsipër mbulimin e saj. Në shtesë të kësaj, vendimi i Entit Rregullator ka parashikuar që TAP do të bëjë çdo dy vjet një vlerësim të tregut dhe në qoftë se do të manifestojë që ka nevojë për më shumë gaz, atëherë do të rritet kapaciteti i pikave ekzistuese të gazit, ose do të shtojë pika të reja”, tha Shkëlqim Bozdo, Komisionar i Entit Rregullator

Komisionari i Entit sqaron se përdorimi i gazit ul deri në 30 për qind koston që paguajnë aktualisht familjet për ngrohje apo dhe gatim.

“Nëse përdor direkt gazin për ngrohje, pa dyshim që gazi redukton 30 për qind të kostos”, tha Bozdo.

Por furnizimi me gaz pritet të zhvillojë edhe industrinë, duke u krijuar bizneseve mundësinë për energji me kosto të ulëta.

TAP, i cili transporton gazin e Kaspikut në tregjet evropiane, një investim rreth 40 miliardë dollarë, kalon përmes Shqipërisë dhe përfundon në Itali. Projekti u përzgjodh si fitues nga aksionarët e fushës gazmbajtëse ‘Shah Deniz’ në Azerbajxhan, kundrejt rivalit tjetër ‘Nabuco’, i cili e anashkalonte Shqipërinë. Për këtë arsye, prej vitesh Tirana zyrtare dhe kryeministri në ikje, Sali Berisha, kanë qenë një nga mbështetësit më të fortë të projektit në arenën ndërkombëtare, përmes lobimeve në Azerbajxhan por edhe në korridoret e Brukselit.


Etiketa:
Arivisti Company