E hënë, 3 Dhjetor 2018
“Në kohën kur kryente aktivitete në UÇK, Përparimi vijonte edhe stërvitjet në KF ”Liria”, si dhe mësimin në SHLP “Xhevdet Doda”.
Përparim (Ali) Thaçi 30.06.1976 – 27.05.1998
Se KF “Liria” ishte bërë pjesë e historisë më të re të Kosovës, ishte jo vetëm fakti që ajo zhvilloi ndeshjen e parë zyrtare në pavarësimin e futbollit (Studenqan, 20.08.1991: Liria-Ballkani) por nga radhët e saj në vijë të parë të frontit ra edhe një dëshmorë. Më 27 maj 1998 Përparim (Ali) Thaçi ka rënë heroiksht ndërmjet fshatrave Bella Cërkë e Xërxë, në kohën kur po kryente detyrat e ushtarit të UCK-së si pjesëtar i Shtabit të Drenocit.
Futbollisti i Lirisë Përparim Thaçi, para se të kyçej në radhët e KF ”Liria” kishte mbrojtur ngjyrat e Bashkimit nga Krusha e Madhe (anëtarë i Ligës së Tretë) dhe Studenqanit (Liga e II-të). Në KF ”Liria” u inkuadrua në sezonin 1997/1998, ku u shqua me talent dhe disiplinë. Ishte absolvent i gjuhës angleze në SHLP “Xhevdet Doda” në Prizren. Përparimi u shqua me cilësitë për të shënuar gol dhe për ngritjen e ritmit të lojës. Sa herë që kyçej në lojë bënte kthesa. Ndërkohë, i edukuar në frymë kombëtare, me daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bashkë me disa të rinj formoi celulat e para të UÇK-së për Anadrini e më pas edhe Shtabin e Drenocit, që vepronte në kuadër të Zonës së Pashtrikut.
Vepronte në konspiracion të madh si pjesëtar i UCK-së, pasi në të njëjtën kohë vazhdonte stërvitjet me bashkëlojtarët në stadiumin e Lirisë, atëherë (në Lagjen Arbana) dhe mësimin në SHLP “Xhevdet Doda”, sikurse që kryente detyrat e ushtarit të zellshëm të UCK-së.
Për konspiracionin e tij, rrëfente dikur edhe babai, Ali Thaçi (poashtu edhe ai një aktivist i shquar sporti e që atë botë ishte anëtarë i kryesisë në KF “Liria”) që ndante këto kujtime: “Nuk kam ditur se Përparimi ishte kyqur në radhët e UÇK-së. Vijonte ushtrimet në klub dhe mbrëmjeve të vona shkonte siq na thoshte ne, në sheti me shokët, pa lënë anash dhe mësimin. Ishte tejet i tërhequr, kishte edhe pak e po diplomonte në SHLP. Megjithatë, diç sikur e mundonte, por që asnjëherë nuk e shprehte…”, janë kujtimet që shpesh i kishte përmenduar pas lufte baca Ali (tashmë dhe ai i ndjerë) me krenari, por edhe me dhimbje për djalin që aq shumë i donte librat, topin dhe pushkën.
Ramadan Susuri, ish-drejtor i “Lirisë” në atë kohë poashtu flet me admirim për Përparimin: ”Ka qenë tejet i sjellshëm, disi i heshtur”. Ai, në një moment i kishte thënë atij gjatë një stërvitjeje: ”Ah sikur t’i kasha disa xhupa (jakne kundër shiut dhe të ftohti, që i bartinin futbollistët gjatë stërvitjes) të tillë, do të më hynin shumë në punë.” Sigurisht që kjo ka patur të bënte me shokët e njësitit. Por, në të vërtetë nuk ishim në dijeni për aktivitetin çlirimtar të tij”, thotë Susuri.
“Me Përparimin na ndante kohë e shkurtër. Gjithëherë ishim bashkë, pasi kishim lidhje farefisnore. Kur kam mësuar lajmin e rënies së tij, jam habitur, ngase nuk kam ditur se po vepronte në radhët e UÇK-së, pasi në të njëjtën kohë vijonte stërvitjet dhe ishte shumë aktiv me mësime”, shprehet Agron Beseni, ish-futbollist i “Lirisë”.
Me 27 maj 1998 vritet në kurth nga forcat serbe, ndërmjet fshatrave Bella Cërkë e Xërxë, bashkë me dy shokët e luftës, dëshmorët: Feim Gashi dhe Sakip Bellaqa, në kohën kur po shkonin në aksion. Ai, ra për të mos vdekur kurrë. Varrimi i Përparimit ishte bërë të nesërmen me nderime të larta ushtarake, në Drenoc, ku edhe vepronte shtabi, themelues i të cilit ishte vetë ai.
Ndërkohë, pas çlirimit eshtrat e dëshmorit Përparim Thaçi, pushojnë në fshatin e lindjes në Landovicë, në varrezat e dëshmorëve të kombit.
Në nderim të veprës së tij, Perfekti i Prizrenit, z. Kadri Kryeziu, me vendim të veçantë të Qeverisë së Përkohëshme të Kosovës, menjëherë pas lufte stadiumit të qytetit i vuri emrin e dëshmorit Përparim Thaçi.
Gjaku i tij e i shumë bijëve e bijave bënë që sot topi të rrokulliset lirshëm anë e këndë stadiumeve të Kosovës.
Shokët, miqtë dhe bashkëlojtarët me pietet do të kujtojnë veprën e dëshmorit Përparim Thaçi, këtij luftëtari të madh të Lirisë, ndërsa familja ndjehet krenare që e pati një djalosh trim e të edukuar si Përparimi, që shkoi në përjetësi.
Autor: Bashkim Kajdomçaj
Etiketa: KF Liria, Përparim Thaçi, Prizren, Stadiumi Përparim Thaçi, UÇK