PK: Manifestimet e “Vidovdanit” përfunduan pa incidente madhore, 17 të shoqëruar në stacion policor


E shtunë, 28 Qershor 2025



Policia e Kosovës ka njoftuar se manifestimet e “Vidovdan-it” janë menaxhuar me sukses, duke kaluar kryesisht në mënyrë të qetë dhe pa incidente të mëdha.

Sipas njoftimit zyrtar të PK-së, janë ndërmarrë masa të gjera operative dhe parandaluese për ruajtjen e rendit publik, orientimin e trafikut dhe menaxhimin kufitar në të gjitha rajonet dhe njësitë policore.

Policia thotë se nga informatat në terren, përveç shoqërimit të 17 personave për intervistim – të cilët dyshohet se kanë provokuar masën përmes nxitjes së urrejtjes dhe mbajtjes së veshjeve me përmbajtje provokuese – nuk është raportuar ndonjë incident që të ketë ndikuar në mbarëvajtjen e manifestimeve.

Në bashkëpunim me organet e drejtësisë, një person është ndaluar për armëmbajtje pa leje, një tjetër ka marrë fletëparaqitje për kundërvajtje, katër persona janë liruar, ndërsa 11 të tjerë janë ende në procedurë të intervistimit.

Policia ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin, duke ritheksuar përkushtimin për të garantuar sigurinë dhe respektimin e rendit kushtetues për të gjithë qytetarët pa dallim.







Etiketa:
Të fundit