Plaçkë apo vjedhje? Jo, po HAJNI!


E martë, 12 Qershor 2018

Autor: Sami KURTESHI

Gjykata Kushtetuese, me Aktgjykimin e sotëm për rastin KO12/18, ka konstatuar se Qeveria Haradinaj, me rritjen e pagës vetvetes 100%, nuk ka bërë shkelje kushtetuese.

Gjykata pretendon se, parashtruesit (30 deputete/ë nënshkrues) nuk kanë ofruar dëshmi dhe fakte bindëse për gjykatën, se Qeveria Haradinaj ka bërë shkelje kushtetuese me rritjen e pagave te kabinetit qeveritar. Ngase nuk kanë arritur të bindin gjykatën se plaçkitja është vjedhje. Meqenëse as plaçkitja dhe as vjedhja nuk janë koncepte kushtetuese, sipas Kushtutës së Republikës së Kosovës, rrjedhimisht, sipas gjykatës, nuk bëhet fjalë për shkelje kushtetuese. Meqenëse këto janë vetëm koncepte ligjore por jo kushtetuese, Gjykata Kushtetuese konstaton se është në kompetencën ekskluzive të qeverisë të plaçkitë, sepse këtë e bën në mënyrë ligjore, ashiqare, pra publikisht dhe se kjo nuk është vjedhje, që bëhet fshehurazi.

Pra, Gjykata Kushtetutuese nuk merret me koncepte ligjore, por vetëm me koncepte kushtetuese. Sipas kësaj Gjykate, me koncepte ligjore dhe zbatimin e tyre praktik, qoftë me plaçkitje, vjedhje, korrupcion, krim të organizuar e të ngjashme, ka kompetenca dhe duhet të merret qeveria. Mjafton që nga ky zbatim praktik qeveritar të përfitojë në mënyrë të drejtëpërdrejtë apo të tërthortë Gjykata Kushtetuese, që në rastin më të keq nuk mund ta refuzojë këtë formë të përfitimit, sepse nuk ndërhyn në kompetencën e qeverisë, si shtyllë e veçantë e pushtetit shtetëror „në Kosovën demokratike, të pavarur, sovrane, të integruar në BE dhe instancat euro-atlantike.“

Përfundimisht, Gjykata Kushtetuese konstaton se nuk e ka për obligim të bëjë dallimin midis plaçkitjes e vjedhjes, madje edhe as konceptit konflikt i interesit, gjë që Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Arta Rama-Hajrizi e ka dëshmuar edhe praktikisht, duke refuzuar kategorikisht njohjen e këtij koncepti si kushtetues, sepse kjo nuk është kompetencë e gjykatës, por është kompetencë ekskluzive e qeverisë. Madje, qeveria ka të drejtë që gjatë zbatimit praktik të koncepteve plaçkitje dhe vjedhje, këto koncepte t‘i përdorë, varësisht nga rrethanat e krijuara, në mënyrë alternative, veç e veç, sinkrone, por jo në mënyrë kumulative si Gjykata Kushtetuese, sepse kjo është kompetencë ekskluzive vetëm e Gjykatës Kushtetuese, e përmbledhur në termin jokushtetues HAJNI!

*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.

Etiketa:
Të fundit