Policët e RENEA-së u larguan nga puna për shkak të besimit të tyre fetar


E diel, 15 Shkurt 2015

Tiranë – Largimi nga puna i 7 efektivëve të forcave RENEA, dy prej të cilëve ishin besimtarë praktikantë, ka vënë në lëvizje edhe Komunitetin Mysliman të Shqipërisë. Sipas informacioneve zyrtare, drejtues të KMSH-së kanë kërkuar takim me ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, por për shkak të ngjarjeve të ditëve të fundit, takimin e kanë bërë më datë 13 shkurt, me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Artan Didi.

Në motivacionin zyrtar të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, efektivët janë transferuar në detyra të ulëta për nevoja pune, ndërsa burime jozyrtare i thanë “GSH”-së, se disa punonjës të forcave speciale janë transferuar për shkak se janë praktikantë të besimit islam dhe falen në orarin e punës.

Besohet se në takimin e myftiut të Tiranës me kryepolicin Didi është kërkuar informacion lidhur me motivacionin real të largimit të efektivëve të RENEA-s nga detyra.

Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra ka deklaruar për “GSH” se: “Kam kërkuar një takim me ministrin Tahiri, por për shkak të axhendës dhe të ngjarjeve të fundit, takimi u la që të bëhej me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Artan Didi.

Takimi u bë ditën e premte dhe ishte një takim konstruktiv”. Edhe kreu i Policisë së Shtetit, Artan Didi e ka konfirmuar takimin që ka bërë mbrëmjen e së premtes me përfaqësues të Komunitetit Mysliman.

Edhe pse burime të sigurta sqaruan për “GSH”, se takimi është kërkuar nga ana e përfaqësuesve të Komunitetit Mysliman pas largimit të efektivëve të RENEA-s për shkak të praktikimit të besimit fetar, Didi nuk sqaroi nëse në këtë takim është folur për këtë çështje apo jo.

I kontaktuar nga “Gazeta Shqiptare”, numri një i uniformave blu, sqaroi se takimi është bërë në kuadër të forcimit të bashkëpunimit mes policisë dhe KMSH-së. “Ishte një takim normal për bashkëpunim”, – konfirmoi për “GSH”, kryepolici Didi.

Etiketa: ,
Të fundit