Portugalia mbështet anëtarësimin e Kosovës në UNESCO


E mërkurë, 30 Shtator 2015

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në kuadër të aktiviteteve me rastin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, u takua sot në Nju Jork me Presidentin e Republikës së Portugalisë, Anibal Cavaco Silva.

Jahjaga dhe Presidenti Cavaco Silva biseduan për thellimin e bashkëpunimit mes dy shteteve, perspektivën evropiane të Kosovës dhe procesin e konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës.

Presidentja Jahjaga falënderoi Presidentin Cavaco Silva për mbështetjen e vazhdueshme të Portugalisë për perspektivën evropiane të Kosovës dhe proceset nëpër të cilat po kalon Kosova.

Presidentja Jahjaga e njoftoi presidentin portugez me të arriturat e Kosovës dhe përkushtimin e institucioneve për të përmbushur të gjitha reformat në rrugën e saj të integrimit evropian dhe kërkoi vazhdimin e përkrahjes së Portugalisë për perspektivën evropiane të Kosovës dhe procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Presidentja Jahjaga gjithashtu kërkoi ndihmën e Portugalisë në përpjekjet e Kosovës për njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe për procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, përfshirë UNESCO-n.

Presidenti Cavaco Silva theksoi se Portugalia mbetet një përkrahëse e palëkundur e Kosovës në procesin e integrimit evropian, nënshkrimit sa më të shpejtë të MSA-së dhe liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Ai po ashtu siguroi presidenten Jahjaga se Portugalia mbështet anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe në UNESCO dhe do të mbështesë përpjekjet për njohjen ndërkombëtare të pavarësisë me ato vende me të cilat gëzon marrëdhënie të mira bilaterale, në veçanti në Amerikën Latine.

Etiketa: , ,
Të fundit