Prangoset shqiptarja e bandës së trafikimit të fëmijëve


E mërkurë, 27 Gusht 2014

Peskara – Policia e Peskarës ka vënë në pranga 45-vjeçaren shqiptare Xhuljeta Petallin, e cila është pjesë e bandës kriminale të trafikimit të fëmijëve nga Shqipëria drejt Italisë.

Petalli ishte dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit e Akuilës, me 2 vjet dhe 11 muaj burg për trafik klandestinësh dhe skllavërim fëmijësh, dhe tashmë ajo ndodhet në burgun e Chieti-t.

Në vitin 2002 policia e qytetit të Peskarës arriti të zbulojë një rrjet trafikantësh italo-shqiptarë, që merreshin me dërgimin në mënyrë klandestine të fëmijëve shqiptarë në Itali.

Policia arriti të identifikojë 67 fëmijë të dërguar ilegalisht në Itali. Nisja e fëmijëve bëhej me traget nga porti i Durrësit, dhe ata shoqëroheshin nga çifti Ramiz dhe Xhuljeta Petalli në drejtim të Barit dhe Ankonës.

Rreth 30 prej tyre ishin dërguar ilegalisht për t’u bashkuar me familjarët e tyre, që gjithashtu jetonin pa dokumente në Itali. Disa fëmijë ishin adoptuar në mënyrë të kundërligjshme nga çifte italiane pa fëmijë, ndërsa disa të tjerë thjesht u ishin shitur organizatave kriminale shqiptare për t’u përdorur në Itali si lypsa, hajdutë apo për të kënaqur epshet e pedofilëve italianë.

Enrico De Simone, ish-shefi i skuadrës së lëvizshme të policisë së Peskarës, ngul këmbë që në disa raste fëmijët shqiptarë, kryesisht të komuniteteve rome dhe egjiptiane janë përdorur edhe për t’u marrë organet e tyre me qëllim shitje në tregun ilegal të organeve.

Gjithsej u përballën me drejtësinë 15 të pandehur italianë e shqiptarë. Nga pala italiane ishte një avokat i shquar dhe një ish-karabinier special, ndërsa nga pala shqiptare ndër të pandehurit binte në sy një polic dhe një agjent i SHIK-ut. Në përfundim të procesit gjyqësor në Itali, me burg u dënuan vetëm Xhuljeta Petalli dhe i shoqi Ramiz Petalli.

Kohë më parë policia e Durrësit ka prangosur dhe Sofie Kaçurrin, motrën e Xhuljeta Petallës.

Të paktën 5 mijë dollarë ka kushtuar jeta e një fëmije, adresa e të cilit nuk gjendet, pavarësisht hetimeve intensive. Policia dhe prokuroria pohojnë se numri i fëmijëve të shitur është shumë herë më i madh se ai i rasteve të provuara.

Por, mbetet ende mister pse disa oficerë të lartë të ish-shërbimit sekret italian u interesuan për të liruar nga burgu disa nga protagonistët e këtij trafiku të turpshëm dhe të dhimbshëm.

Përgjimet e deritanishme kanë arritur të zbulojnë koston e trafikut, deri diku dhe të shitjes së foshnjave, por rrjeti ka fshehur detaje të rëndësishme. Sipas organit të akuzës, kjo industri e krimit ka sjellë miliona dollarë./shekulli/

Të fundit