“Prap e hëngrëm foren!”


E enjte, 2 Shkurt 2017

Haris ADEMI

Në njërën nga batutat e vjetra shqiptare flitet për dy shokë të rinj të cilët duke ecur rrugës panë një bagël, jashtëqitje e kafshëve, dhe filluan diskutimin në lidhje me të. Njëri thoshte se është bagël e dhisë e tjetri këmbëngulte se është e bullicës. Diskutimi shkoi deri në atë nivel sa u rrahën për t’i mbrojtur mendimet e veta. Mirëpo kjo nuk kishte përfunduar me kaq. Edhe kur kishte kaluar një kohë e gjatë nga ai konflikt, të dy shokët, tashmë pleq, po kalonin nëpër të njejtën rrugë.

“A e mban mend që këtu ka qenë një bagël e dhisë?” – e kujton njëri atë ngjarje.
“Jo more! E bullicës ka qenë.” – e kundërshton i dyti. Dhe prap përsëritet historia e njejtë, derisa u rrahën për të dytën herë.

Nëpër programet tona televizive, rrjetet sociale e bisedat private shumë herë ndodh që të krijohen debate për tema të cilat nuk kanë asnjë relevancë apo dobi për përmirësimin e jetës së popullit. Me ndikimin e madh që ka media në ditët e sotme, ajo i bën pjesëmarrës në këto debate një kontigjent të gjerë njerëzish, shpesh duke krijuar edhe situata të palakmueshme ku ata fyhen mes vete. Këto lloje të debateve nuk shpien askund tjetër përpos në fundërrina të dështimit të plotë dhe në situata aspak të dashura për neve si shtet.

Në kohët e fundit në Kosovë po qarkullon tema e Perandorisë Osmane, pozita e saj si pushtuese apo çliruese e trojeve shqiptare, tema e profilit të Skënderbeut dhe ajo e (pa)vërtetësisë së historisë që na u servohet në librat tanë shkollor. Dhe çka është më e keqja e të këqijave, ata të cilët i trajtojnë këto tema janë njerëz plotësisht jokompetentë dhe nuk kanë ndonjë ndërlidhje profesionale a shkencore me to! Njëri, që i ka lexuar dy libra për histori, del e tregon kulturë të ulët të debatit duke nënçmuar kundërshtarin që poashtu s’din çka thotë e bënë lojë fjalësh pa kuptim. Për ta bërë sa më atraktive temën, ky debat shumëzohet në disa televizione, dhe po ata njerëz ftohen edhe në emisione tjera për t’i shtruar “argumentet” e tyre dhe të bëjnë shoë që ta kënaqin publikun.

Për t’ia shtuar dozën e helmit kësaj kauze, populli, si çdoherë tjetër, i bashkangjitet këtij debati për t’i dhënë përmasa edhe më të mëdha. Dikush tjetër e bëri “baglën”, e tjetërkush mbytet për të. Në këtë mënyrë e tërë vëmendja e opinionit publik koncentrohet në këtë temë pa bosht. Diskutime të tilla nxiten pothuajse gjithmonë në një kohë kur ka zhvillime të rëndësishme politike. Politikanët e kanë terrenin më të hapur për të vepruar pa u vënë re nga qytetarët, të cilët janë të zënë në gjëra të tjera. Dhe, me ndihmën e pakontestueshme të mediave, kjo metodë jep efektet e saj secilën herë që praktikohet.

Jo pse historia e shqiptarëve nuk duhet të mësohet, e jo pse duhet t’i njohim mirë heronjtë kombëtarë, por duke pasur parasysh se përfundimet nga këto diskutime të këtij lloji nuk sjellin asnjëherë fryte, është më mirë që të fokusohemi në tema më të rëndësishme aktuale. Kosova aktualisht ndodhet në një situatë të vështirë ekonomike e politike. Tash do të ishte koha më e duhur për Skënderbega të rinj. Populli që i ka sytë vetëm kah e kaluara, e ardhmja e tij është e verbër! Tema të tilla historike janë sa të ndjeshme, po aq të vështira për t’u shtjelluar. Ato paraqesin zhvillime dhe ndodhi të cilat kërkojnë një trajtim shkencor, dhe si të tilla nuk janë adekuate të trajtohen në publikun e gjerë. Për këto janë të nevojshme simpoziume shkencore të njerëzve adekuatë të cilët ndikohen vetëm nga e vërteta objektive.

Edhe kësaj here u treguam të pavëmendshëm dhe e përsëritëm gabimin e njejtë, për të disatën herë me radhë. U grumbulluam rreth një diskutimi të panevojshëm për të harruar më të rëndësishmen, atë çka po ndodh me të vërtetë me ne. “Prap e hëngrëm foren!” Ishalla herave tjera mbledhim mend!

*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.

Etiketa: ,
Të fundit