E premte, 15 Gusht 2014
Sanksionet kundër disa produkteve ushqimore perëndimore do të fuqizojnë ekonominë ruse. I këtij mendimi është Presidenti rus Vladimir Putin, i cili mori pjesë në një konferencë në Jaltë të Krimesë, ku të pranishëm ishin edhe deputetë të parlamentit rajonal.
Putin u shpreh se tashmë ka ardhur koha, që ushqimet e siguruara deri më tani nga perëndimi, të prodhohen në Rusi. Në këtë mënyrë u shpreh Putin, përveçse fuqizohet industria vendase ushqimore, do t’i jepet fund konsumit të ushqimeve jocilësore perëndimore, siç i konsideroi ai.
Javën e shkuar, Rusia vendosi t’i kundërpërgjigjet sanksioneve ekonomike perëndimore për çështjen e Ukrainës, duke bllokuar importin nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Europian, Kanadaja, Norvegjia dhe Australia të produkteve bujqësore.
Tashmë Moska ka gjetur partnerë të rinj, duke nisur nga Turqia. Produktet ushqimore zënë 1/5 e këtij tregu dhe me zhvillimet e fundit, Ankaraja ka premtuar shtimin e eksporteve.
Moska është aktualisht në negociata me Egjiptin për një zonë të lirë tregtare mes 2 vendeve. Vende amerikano-latine si Brazili, Kili dhe Ekuadori, pritet të jenë vendet që do të mbushin boshllëkun e krijuar.
Ekonomistët parashikojnë se embargo kundër perëndimit do të shkaktojë rritje të çmimit të ushqimeve dhe shtim të inflacionit në 8 deri 9% nga 6 që është aktualisht.
270 kamionët rusë me ndihma humanitare vijojnë rrugëtimin drejt kufirit me Ukrainën, megjithëse është ende e paqartë nëse Kievi do të lejojë hyrjen e tyre.
Në rrjetin social “Twitter” janë publikuar foto nga brendësia e këtyre kamionëve, të cilat shuajnë dyshimet se në to mund të ketë armatim për rebelët filorusë. Konfrontimet mes këtyre të fundit dhe forcave të Kievit, kanë vijuar mjaft ashpër në Donjeck e Luhansk. Mijëra njerëz po largohen nga këto zona drejt Rusisë, për t’i shpëtuar konfliktit.
Etiketa: Rusia, Vladimir Putin