E enjte, 15 Janar 2015
Prishtinë – Presidentja Atifete Jahjaga pati një takim të përbashkët me krerët e institucioneve të vendit, kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, kryeministrin, Isa Mustafa dhe ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi.
Presidentja Atifete Jahjaga pati një takim të përbashkët me krerët e institucioneve të vendit, kryetarin e Kuvendit, Kadri Veselin, kryeministrin, Isa Mustafën dhe ministrin e Drejtësisë,Hajredin Kuçin, për të bashkërenduar veprimet dhe obligimet institucionale dhe ligjore për krijimin e Gjykatës Speciale. Për shkak të vizitës jashtë vendit, Presidentja Jahjaga po ashtu ka takuar gjatë ditës Zëvendëskryeministrin, zotëri Hashim Thaçin.
Në këtë takim, krerët e institucioneve të Republikës së Kosovës u pajtuan që krerë institucionalë të krijojnë një ekip të përbashkët teknik për të shqyrtuar dokumentet e nevojshme për themelimin e Gjykatës Speciale, krijimi i së cilës tashmë është aprovuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Udhëheqësit e institucioneve të Republikës së Kosovës theksuan nevojën për një konsensus të përgjithshëm në etapa të ndryshme të zbatimit të këtij obligim ndërkombëtar të Kosovës.