Presioni ndërkombëtar sjell lirimin e aktivistëve të Flotiljes Sumud


E enjte, 21 Maj 2026
Presioni ndërkombëtar sjell lirimin e aktivistëve të Flotiljes Sumud

Italianët rrëfejnë dhunën dhe trajtimin degradues nga ushtria izraelite

Pritet që të gjithë aktivistët e Flotiljes Globale Sumud dhe Koalicionit të Flotiljes së Lirisë të lirohen në orët në vijim, pas presionit të fortë ndërkombëtar dhe mobilizimit diplomatik të ditëve të fundit.

Sipas agjencisë italiane të lajmev ANSA, autoritetet izraelite kanë konfirmuar transferimin e aktivistëve nga qendra e paraburgimit Ketziot drejt aeroportit Ramon/Eilat, nga ku pritet të nisen me fluturime çarter turq drejt vendeve të tyre.

Organizata për të drejtat e njeriut Adalah deklaroi se lirimi i tyre do të shënojë fundin e një ndalimi arbitrar, por theksoi se kjo nuk fshin shkeljet serioze të së drejtës ndërkombëtare që, sipas saj, nisën me kapjen e anijeve në ujërat ndërkombëtare dhe vazhduan me trajtime çnjerëzore ndaj aktivistëve.

Delegacioni italian i flotiljes theksoi se presioni i ushtruar ndaj qeverive evropiane “ka vënë në lëvizje makinën diplomatike”, duke detyruar ndërhyrjen e ambasadave dhe organizmave ndërkombëtarë.

Ndërkohë, qeveri dhe institucione të ndryshme evropiane kanë dënuar publikisht videot dhe sjelljen e autoriteteve izraelite ndaj aktivistëve të ndaluar. Në Itali, kthimi i deputetit të Lëvizjes 5 Yje, Dario Carotenuto, dhe gazetarit të Il Fatto Quotidiano, Alessandro Mantovani, u prit me solidaritet dhe reagime të forta politike.

Të dy mbërritën në aeroportin Fiumicino nga Athina, ku u pritën nga deputetë, aktivistë dhe familjarë. Por vëmendja më e madhe u përqendrua tek dëshmitë e tyre për dhunën që, sipas tyre, u ushtrua nga ushtria izraelite gjatë ndalimit dhe transferimit.

Gazetari Alessandro Mantovani tregoi se ai dhe shumë aktivistë të tjerë u rrahën gjatë operacionit të hipjes në bord dhe më pas në qendrat e ndalimit. “Mua më rrahën, Dario Carotenuto u rrah, të tjerë edhe më rëndë.

Pashë njerëz me dyshime për thyerje të krahëve dhe brinjëve”, deklaroi ai në një audio të publikuar nga Il Fatto Quotidiano. Sipas Mantovanit, pothuajse të gjithë aktivistët që kalonin nëpër zonën e hyrjes së paraburgimit goditeshin, ndërsa britmat dëgjoheshin edhe nga jashtë.

Ai tregoi se gjatë transferimit drejt aeroportit Ben Gurion, atij dhe Carotenutos iu vendosën pranga në duar dhe në këmbë, duke i trajtuar “sikur të ishin kriminelë”. Mantovani tha gjithashtu se gjatë kontrollit iu morën sendet personale dhe se pa edhe gra të goditura nga ushtarët.

“Ata qëlluan dy herë mbi anije me një lloj plumbi dhe jo vetëm mbi ne”, shtoi ai, duke e cilësuar operacionin shumë më të dhunshëm se rastet e mëparshme të ndërhyrjeve ndaj flotiljeve humanitare.

Edhe deputeti Dario Carotenuto përshkroi një trajtim degradues. Ai deklaroi se u mbajt për gjashtë orë në një dhomë të ftohtë me temperaturë 17 gradë, i ulur në një karrige, përpara se të transferohej me pranga në aeroport.

“Më bënë të kaloja para të gjithëve sikur të isha kriminel”, tha ai pas mbërritjes në Itali. Deputeti akuzoi qeverinë izraelite se po ndjek prej vitesh një strategji agresive në rajon dhe kritikoi heshtjen ose reagimet e dobëta të shumë qeverive evropiane përballë ngjarjeve të fundit. tesheshi


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit