E shtunë, 27 Qershor 2015
Zëdhënës i krahut ushtarak të PYD-së, Redur Khalil, në një deklaratë për AA tha se forcat kurde të Kobanit nuk kanë drejtuar asnjë akuzë zyrtare kundër Turqisë
STAMBOLL (AA) – Pretendimet se terroristët e organizatës DAESH që kryen sulmin e djeshëm në qytetin ndërkufitar sirian të Kobanit erdhi përmes territorit turk nuk janë të sakta dhe forcat kurde nuk kanë dërguar asnjë akuzë kundër Turqisë, konfirmohet nga krahu ushtarak i partisë demokratike pro-kurde të unitetit (PYD), transmeton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënës i krahut ushtarak të PYD-së, Redur Khalil, në një deklaratë për AA tha se forcat kurde të Kobanit nuk kanë drejtuar asnjë akuzë zyrtare kundër Turqisë, duke shtuar se terroristët e DAESH, të cilët kryen sulme në Kobani, në qytet kanë hyrë nga perëndimi dhe jugu.
“Nuk kemi akuzuar Turqinë për asgjë. Militantët e DAESH në qytet erdhën nga jugu dhe perëndimi” tha Khalil.
Akuzat për kalimin e pjesëtarëve të DAESH përmes territorit turk i hodhi poshtë edhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan dhe kryeministri Ahmet Davutoğlu. Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë, theksohet se: “Nuk ka asnjë arsye që Turqia të akuzohet për diçka, ose të mos i besohet këtij vendi në qoftë se ata thonë se këto akuza nuk janë të vërteta”.
Në shpërthimet e djeshme në qytetin sirian Kobani, pranë kufirit me Turqinë, morën pjesë anëtarë të celulave të fshehura të organizatës terroriste DAESH, konfirmojnë burime të forcave të kurdëve siriane të sigurisë.
Një pjesë e sulmueseve, sipas të njëjtit burim, erdhën nga drejtimi i Cerablusit, rajonit të kontrolluar nga DAESH, ndërsa pjesëmarrës në sulm ishin edhe pjesëtarët e celulave pasive të kësaj organizate, të njohur si “të fjeturit”.
Së paku 18 vetë u vranë dhe 40 u plagosën në pesë shpërthime në Kobani, në rifillimin e luftimeve midis forcave siriane kurdë dhe pjesëtarëve të organizatës terroriste DAESH.
Një burim nga forcat siriane të sigurisë kurde tha se militantët e DAESH të maskuar si luftëtarë kurdë sulmuan forcat kurde me dy makina bombë. Pas sulmit filloi shkëmbimi i zjarrit.
Në dy javët e fundit, Turqia është përballur me një valë të re refugjatësh nga qyteti sirian Tal Abyad, ku zhvillohen luftime mes terroristëve të DAESH dhe forcave kurde.