E premte, 29 Janar 2016
![Komisioni për Buxhet dhe Financa](https://prizrenpost.com/al/wp-content/uploads/2016/01/Komisioni-per-Buxhet-dhe-Financa.jpg)
Komisioni për Buxhet dhe Financa
Prishtinë – Meqenëse është investuar në infrastrukturë, prioritet i Qeverisë mbetet dhe investimi në cilësinë, sa i përket sektorit të arsimit në vend.
Kështu u tha në Komisionin për Buxhet dhe Financa, ku u bë shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për financim, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit ndërkombëtar për zhvillim, për realizimin e projektit për përmirësimin e sistemit të arsimit.
Kryetar i komisionit, Naser Osmani, kërkoi sqarim të procedurave për kredi.
“Nëpër çfarë filtra kalon procedura, që të vie deri tek një kredi. Kjo është një kredi pavarësisht me kushte të mira apo të këqija, por duhet me i kthy. Dhe tash marrin ministritë e ndryshme, ju jeni të involvuar. Por një vlerësim a bëhet që është e domosdoshme kjo kredi, apo nuk është. Sepse ne kemi thënë se kreditë janë ato, unë përcaktohem për ato kredi që kanë të bëjnë me investime direkte, investime kapitale, kjo ka të bëjë me tepër me një segment të fushave tjera. A është e domosdoshme kjo kredi, qysh është bërë vlerësimi që ne të bindemi që kjo kredi është e domosdoshme”, tha ai.
Ndërsa, zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi tha se është vlerësuar se një kredi e tillë është e domosdoshme, pasi që do të ndikojë në përmirësimin e sistemit të arsimit në vend, raporton KP.
“Sektori i arsimit ka prioritet tjera, që nuk janë çdo herë detyrimisht investime në kuptimin e infrastrukturës. Por ka kuptimin e përmirësimin e sistemit, përmirësimit të plan programeve cilësisë dhe elemente tjera. Kështu që duke qenë sektori i arsimit si prioritet për të gjithë neve, brenda programit dhe strategjisë, ministria e arsimit e ka parë të nevojshme që mbi at ë buxhet që e ka të rregullt me pas mbështetje dhe më të madhe…Është marrë vendimi dhe është vlerësuar se një kredi e tillë, do të ndihmojë shumë në përmirësimin e sistemit të arsimit… Ka nevojë sistemi i arsimit, me infrastrukturë është kompletu, por duhet me ba përmirësimin e cilësisë”, tha ai.
Krasniqi tha se në vazhdën e bashkëpunimit me institucione, partnere ndërkombëtar edhe me qëllim të përmbushjes së prioriteteve të Qeverisë, pas përfundimit të të gjitha procedurave për marrjen e kredisë, është nënshkruar marrëveshja me Bankën Botërore, për kredi në vlerë prej 11 milionë dollarë, në projektin për përmirësimin e sistemit të arsimit në Kosovë.
Krasniqi pohoi se sistemi i arsimit në Kosovë, është ndër faktorët kyç që kërkon investime të vazhdueshme, për avancim të mëtutjeshëm të sistemit të mësimdhënies dhe mësimnxënies, që reflekton direkt në avancimi n e karrierës për të rinjtë e Kosovës. Kjo kredi ka një normë të ulët prej 1.25 për qind dhe me një plan të kthimit për 20 vite.
Projekti ka për qëllim forcimin e sistemit të përzgjedhjes, që kontribuon në përmirësimin e cilësisë së llogaridhënies, efikasitetit në arsimin e Republikës së Kosovës.
Komisioni po ashtu shqyrtoi dhe projektligjin Shqyrtimi i Projektligjit nr.05/L-060 për mjekësinë ligjore dhe Amendamenteve të Komisionit funksional për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit.