Prishje në KEK, importohet energji me çmim 7 herë më të lart


E enjte, 23 Korrik 2015

Për momentin, Kosova është në situatë shumë të vështirë energjetike, për shkak të ndërprerjes së paplanifikuar të prodhimit në KEK.

Në këto çaste, situata e furnizimit me energji elektrike është më e keqe se vitin e kaluar, kur së paku një njësi ishte aktive në TC “Kosova A” në KEK dhe nuk ballafaqoheshim me temperatura të larta dhe ekstreme në rajon dhe Evropë. Si pasojë, energjia e gatshme në treg është e limituar dhe shumë e kushtueshme.

Këtë njoftim e bëri Kompania për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), e cila bën me dije se është detyruar të importojë energjinë që është e disponueshme në treg me çmim shtatë herë më të shtrenjtë se ai i zakonshmi.

“Edhe pse jo obligim i KESCO-s, ne jemi duke importuar energjinë që është e disponueshme në treg me çmim shtatë herë më të shtrenjtë (130 euro për megavat) për të tejkaluar më lehtë situatën e shkaktuar nga prishjet e paplanifikuara në KEK . Sidoqoftë, kjo nuk është e mjaftueshme për furnizim të rregullt me energji elektrike dhe nuk mund të jetë e qëndrueshme për kohë të gjatë.

Sipas bilancit energjetik gjatë gjithë muajit korrik në KEK duhej të ishin aktive dy njësi të “Kosovës A” dhe dy njësi të “Kosovës B”. I gjithë ky bilanc mbështetet nga ta rifat e energjisë elektrike dhe çdo devijim shkakton probleme dhe vështirësi.

Për momentin, në KEK janë aktive vetëm dy njësi të “Kosovës B” me kapacitet të limituar të prodhimit dhe të ndryshueshëm nga ora në orë, deri sa konsumi në orët e pikut është diku rreth 750 megavat. (Prodhimi në vend është vetëm 460 – 500 megavat).

Për të mos rrezikuar gjithë sistemin, jemi të obliguar të bëjmë ndërprerje të energjisë elektrike për shkak të mungesës së kapaciteteve energjetike në vend dhe devijimit të madh që shkaktohet nga prishjet e paplanifikuara dhe emergjente në KEK. Ne kemi informuar të gjitha palët e treta dhe operatorët tjerë për situatën e krijuar.

Në të njëjtën kohë, i lusim të gjithë konsumatorët që në rrethana të tilla të jashtëzakonshme, të kursejnë energjinë elektrike, sidomos në orët e pikut, kur konsumi është shumë i lartë dhe kapacitetet energjetike në vend dhe energjia elektrike e disponueshme, nuk janë të mjaftueshme.

Ne do të vazhdojmë me importimin e gjithë energjisë së gatshme në treg pa marrë parasysh çmimin për të plotësuar kërkesën e konsumatorëve, por një proces i tillë është i vështirë për t’u realizuar marrë parasysh kushtet klimatike dhe kapacitetet e limituara të gatshme. Shpresojmë që KEK do të rifillojë gjenerimin sa më shpejt që është e mundur”, thuhet në komunikatën e KESCO-s

Etiketa: ,
Të fundit