E martë, 5 Qershor 2018
Prizren – Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë përmes aktivitetit “Think Future – Prizren”, ka promovuar sot “Programin për financimin e Organizatave Jo-Qeveritare” dhe “Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit”.
Në këtë ngjarje kanë marrë pjesë Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj dhe Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj.
Beqaj ka folur para të rinjve të Prizrenit për rëndësinë e këtij programi duke inkurajuar OJQ-të dhe të rinjtë me ide inovative në shërbim të rritjes se kapacitetit të ndërmarrjeve që të bëhen pjesë e tij, njofton Klan Kosova.
“Programi i financimit të Ministrisë, orienton dhe përkrah inovatorët të kombinojnë njohuritë, kapacitetet dhe resurset për të zhvilluar konceptin e inovacionit brenda ndërmarrjes”.
Ai ka thënë se Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë ka në mandat politik dhe strategjik stimulimin e aktiviteteve inovative në Kosovë të cilat janë të lidhura ngushtë më ndërmarrësinë.
“Investimi në rini është garanci për një të ardhme të ndritur dhe fuqizimit ekonomik të Kosovës”, shtoi ai.
Ai ka folur edhe për hapjen e shpejtë të Parkut të Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren, duke theksuar se Prizreni do të bëhet qendër rajonale për inovacion në Ballkanin Perëndimor.
Etiketa: Aktuale, Besim Beqaj, Prizren