Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Prizreni, një qytet i të drejtave të njeriut

Prizren Post | 20:03 - 01.10.2018

Prizren – Gjatë konferencës “Prizreni, një qytet i të drejtave të njeriut’’ janë shpalosur objektivat dhe të arriturat e projektit në fjalë si dhe është diskutuar publikimi i Kartës së Qytetit ‘’E Drejta mbi Qytetin e Prizrenit’’.

Projekti ‘’Rikthimi i Qytetit’’ është një përpjekje për të mbështetur grupet e nënpërfaqësuara të komunitetit që të gëzojnë plotësisht të drejtën mbi qytetit përmes një sërë aktivitetesh dhe platformash mobilizimi të komunitetit. Duke pasur për qëllim që nëpërmjet aktivizmit të nxisë reforma demokratike të planifikimit urban në Prizren, në kuadër të projektit janë realizuar një sërë prezentimesh në shkolla te mesme dhe univeristete, takime të vazhdueshme me grupet e nënpërfaqësuara të komunitetit lidhur me nismën e qytetarëve për Kartën e Qytetit, punëtori vizionuese për rikthimin e hapësirave publike, gara e videove me telefona të mençur për të rinjtë si dhe Shkolla e Aktivizmit Urban për studentë si dhe nxënës.

Në fokus të konferencës përmbyllëse “Prizreni, një qytet i të drejtave të njeriut’’ ishte prezentimi i Kartës së Qytetit ‘’E drejta mbi qytetin e Prizrenit’’, dokument ky që ka për qëllim që të promovojë dhe fuqizojë të drejtat e njeriut për të gjithë qytetarët e Komunës së Prizrenit, në kuadër të menaxhimit të përgjithshëm të qytetit. Paneli i përbërë nga Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Artan Abrashi dhe autori i hulumtimit, Fisnik Minci diskutuan mbi rëndësinë dhe mekanizmat e Kartës së Qytetit.

Propozim Karta e Qytetit të Prizrenit e cila ka marrë përkrahjen e mijëra qytetarëve përmes nënshkrimit të peticionit do t’i prezantohet autoriteteve të pushtetit lokal të Prizrenit, me kërkesën që i njëjti të shqyrtohet dhe miratohet nga organet vendimmarëse komunale dhe më pastaj të zbatohet nga dikasteret e Ekzekutivit lokal

Projekti ‘’Rikthimi i qytetit- E Drejta mbi Qytetin për grupet e nënpërfaqësuara të komunitetit në Prizren’’ është një angazhim i EC-it në promovimin e hapësirave publike të sigurta, gjithëpërfshirëse, të qasshme, të gjelbra, të qëndrueshme dhe cilësore në Prizren, duke përfshirë, por pa u kufizuar vetëm në: rrugë, trotuare, korsi çiklizmi, sheshe, zona ujore, kopshte dhe parqe.


Etiketa:
Arivisti Company