Projektet kapitale me planifikim të dobët po e dëmtojnë buxhetin e Prizrenit


E martë, 7 Tetor 2014

kk prizren logo

Prizren – Në kuadër të projektit të monitorimit të transparencës së ekzekutivit lokal të Prizrenit, EC Ma Ndryshe gjatë muajit shtator ka hulumtuar disa projekte kapitale të financuara nga mjetet e buxhetit komunal.

Hulumtimi disa javor ka nxjerrë në pah se ekzistojnë një numër projektesh kapitale që janë financuar nga Komuna e Prizrenit me mjete të konsiderueshme nga buxheti komunal dhe se punimet nuk janë kryer si duhet as pas disa vitesh, pastaj objektet nuk janë funksionale, nuk përdoren për destinimin për të cilin janë planifikuar dhe ndërtuar, derisa ka edhe raste kur punimet e nisura kanë ngelë pezull shkaku i planifikimit të pasaktë.

Projekti më kontrovers është ndërtimi i Shtëpisë së Kulturës në Zhur. Realizimi i këtij projekti ka nisur në vitin 2009 dhe objekti ende sot e kësaj dite nuk është përuruar. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (DKRS) për realizimin e këtij projekti janë angazhuar dy operatorë ekonomikë, ku në fazën e parë janë shpenzuar afër 325 mijë euro, derisa për punimet e fazës së dytë operatorit tjetër i janë paguar mbi 526 mijë euro, që në total nënkupton se deri më tani janë harxhuar mbi 850 mijë euro për këtë projekt. DKRS ka theksuar se operatori i dytë i kontraktuar “pas këstit të fundit më 18 dhjetor 2012, i ka ndërprerë punimet duke deklaruar se nëse nuk do të paguhet për punimet shtesë në vlerë prej 92 mijë euro, nuk do t’i vazhdoj punimet” dhe se ka mbetur në këtë pozicion deri më tani, derisa kryetari i Komunës më 21 gusht 2014 ka nxjerrë konkluzionin për lejimin e mjeteve shtesë në vlerë prej 52 mijë eurosh. “Pritet vetëm aprovimi i rishikimit të buxhetit në Kuvendin e Kosovës dhe punimet do të realizohen”, thuhet në informatën e DKRS-së.

Projekti tjetër është ndërtimi i Qendrës Kulturore-Sportive në Mushnikovë. Realizimi i projektit ka nisur në vitin 2011 dhe objekti jo që nuk ka përfunduar, por ende as kulmin nuk e ka. Sipas të dhënave të DKRS-së deri më tani për këtë projekt nga paratë publike janë paguar 84 mijë euro. DKRS vetëm në shkurt të këtij viti ka njoftuar Zyrën e Prokurimit se punëkryesi i kontraktuar nuk i ka kryer punimet sipas dinamikës dhe parashikimit të kontratës dhe ka kërkuar anulim të kontratës dhe hapje të tenderit të ri për punët e parealizuara. Në rishikimin e buxhetit 2014 DKRS ka kërkuar 48 mijë euro shtesë për këtë projekt.

Ndërsa ndërtimi i Sallës së Sporteve në Medvec ka nisur në vitin 2012 dhe punimet ende nuk kanë përfunduar. Vlera e projektit sipas DKRS-së është afër 240 mijë euro. Deri më tani janë paguar afër 173 mijë euro dhe kanë mbetur pa u paguar edhe mbi 66 mijë euro, derisa me rishikim janë paraparë edhe 50 mijë euro. Banorë të këtij fshati kanë bërë të ditur se plani dinamik për realizimin e punimeve ka paraparë 120 ditë, afat ky që sipas tyre ka kaluar shumë kohë më parë.

Ndërkaq Drejtoria e Shërbimeve Publike ka kontraktuar një operator që të kryejë punimet në ndërtimet e rrugëve në Kushnin të Hasit, ku vlera e kontratës është mbi 58 mijë euro. Punimet e gërmimit dhe zgjerimit të rrugëve si dhe shtrimi i shtresës së parë të tamponit janë bërë, por në mungesë të mjeteve punët janë ndërprerë. Sipas sqarimit të marrë nga DSHP-ja del se ky projekt sikurse edhe disa projekte të tjera janë ndërprerë në mungesë të mjeteve, që kanë qenë të parapara të sigurohen nga të hyrat vetanake. DSHP ka theksuar se për këtë projekt mjetet do të sigurohen nga rishikimi i buxhetit.

Në kuadër të monitorimit të mbledhjeve të qeverisë komunale është hasur edhe në projekte tjera, ku për shkak të planifikimit të dobët nuk është siguruar vlera e duhur për shpenzimet publike. Në fshatin Bregdri është ndërtuar shkolla, me ç’rast janë shpenzuar mbi 230 mijë euro nga buxheti komunal, ndërkohë që nxënësit e klasave të VI-ta, VII-ta, VIII-ta dhe IX-ta nuk mund të vijojnë mësimin, pasi që DKA-ja nuk e ka planifikuar në buxhetin e vitit 2014 shtimin e 6 normave shtesë, që duhet të miratohet edhe nga MASHT-i.

Ndërkohë në kuadër të pjesëmarrjes në debatet publike është vënë re se edhe objekti i Zyrës së vendit në Lagjen Tusuz ka dy vjet që nuk është vënë në funksion ani pse lidershipi komunal ka raportuar se ajo është hapur me qëllim të ofrimit të shërbimeve më cilësore për qytetarët. EC Ma Ndryshe ka kërkuar nga Drejtoria e Administratës qasje në dokumente publike që kanë të bëjnë me këtë projekt, por një gjë e tillë nuk është mundësuar, gjë që paraqet shkelje të dispozitave të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike. Në anën tjetër në paraqitjet mediale të zyrtarëve të DA-së është theksuar se Zyra e gjendjes civile ende nuk është vënë në shërbim për arsye se MPB-ja duhet të mundësoj instalimin e rrjetit dhe softuerit të të dhënave të gjendjes civile, gjë që nuk është bërë përkundër disa shkresave që janë dërguar nga Komuna e Prizrenit.

Në anën tjetër Zyra e Auditorit të Përgjithshëm në raportin e fundit ka gjetur se te kontrata Ndërtimi i stadiumit të qytetit në shumë prej 193 mijë euro shuma e zotuar për këtë projekt ishte vetëm 20 mijë euro dhe se raste të lidhjes së kontratave pa zotim të mjaftueshëm janë gjetur edhe në 23 mostra të testuara.

ZAP edhe te kontrata Asfaltimi i rrugës Piranë-Reti në vlerë prej 167 mijë euro ka gjetur se sipas planit dinamik, projekti ishte paraparë të përfundoj për 50 ditë pune dhe se ky afat nuk ishte respektuar, me ç’rast deri në kohën e auditimit, kjo vonesë kishte arritur në 250 ditë kalendarike. Sipas pohimeve të menaxhmentit mungesa e fondeve për këtë projekt ka bërë që të ngecë puna dhe si i tillë të mos përfundoj me kohë. Vonesa të tilla ZAP ka gjetur pothuajse në secilin projekt të ekzaminuar.

Të gjitha këto raste të investimeve kapitale të Komunës së Prizrenit dëshmojnë se projektet pa planifikim të duhur dhe të saktë, të nisura pa ndonjë vizion të qartë dëmtojnë buxhetin komunal, i cili mbushet nga mjetet e taksapaguesve. Mënyrat e këtilla të shpenzimit të parasë publike sipas EC Ma Ndryshe janë të papranueshme dhe në kundërshtim me obligimet ligjore dhe morale për qeverisjen e mirë të parasë publike.

Për më shumë ZAP në raportin për vitin 2013 kishte gjetur dobësi sistematike që ekzistojnë në fushën e prokurimit, që nga zotimi i fondeve, ndjekja e procedurave të prokurimit e deri te menaxhimi i kontratave. Po ashtu kishte konstatuar se procesi i menaxhimit të kontratave është përcjell me kontrolle joadekuate, raporte pa specifikacione të qarta si dhe mungesë të pranimit teknik të punëve të kryera.

Duke i marrë parasysh këto të gjetura, EC Ma Ndryshe rekomandon Komunën e Prizrenit që:

– Të ndryshojë rrënjësisht praktikat e deritanishme të planifikimit të projekteve kapitale;
– Buxhetimin ta bëj me pjesëmarrje më të madhe të qytetarëve në mënyrë që buxheti komunal të reflektoj kërkesat reale të komunitetit;
– Të largoj presionin dhe ndikimin politik ndaj Zyrës së Prokurimit;
– Të aplikoj mbikëqyrje më rigoroze të zbatimit të projekteve, duke përfshirë në organet mbikëqyrëse profesionistë me integritet dhe të pavarur nga politika;
– Të përmirësoj kontrollin mbi një sërë fushash të shpenzimeve në mënyrë që të parandalojë që Komuna të ketë humbje financiare, vlerë të dobët për paranë publike dhe menaxhim jo efektiv të projekteve;
– Të merren masa që dobësitë sistematike që ekzistojnë në fushën e prokurimit, që nga zotimi i fondeve, ndjekja e procedurave të prokurimit e deri te menaxhimi i kontratave të adresohen në përputhje me rekomandimet e Auditorit të Përgjithshëm;
– Procesi i menaxhimit të kontratave që deri më tani është përcjell me kontrolle joadekuate, me raporte pa specifikacione të qarta si dhe me mungesë të pranimit teknik të punëve të kryera, të mos përsëritet në asnjë projekt që paguhet nga paratë publike;
– Të nisë zbatimin e ndëshkimeve për operatorët e papërgjegjshëm.

EC Ma Ndryshe gjithashtu rekomandon anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit që të kërkojnë llogari për shpenzimet që janë bërë për këto projekte si dhe të ushtrojnë kontroll më të madh ndaj punës së ekzekutivit komunal.

Projekti i EC Ma Ndryshe për monitorimin e transparencës së ekzekutivit do të vazhdojë të publikojë të gjeturat e monitorimit përmes komunikatave të rregullta dhe përmes ueb-faqes së projektit, ku të gjeturat postohen drejtpërdrejtë nga monitoruesit. Tanimë të gjitha të gjeturat e monitorimit, përfshi komunikatat e rregullta dhe shumë informacione të tjera në lidhje me qeverinë lokale të Prizrenit, të Mamushës dhe të Prishtinës publikohen në baza të rregullta në ueb-faqen e projektit, www.online-transparency.org.

Të fundit