Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Projekti i Lumbardhit në Prizren jo-transparent, pa konkurs publik dhe pa pjesëmarrje qytetare

Prizren Post | 23:29 - 19.05.2021

  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  

PRIZREN – Projektet e realizuara në kuadër të “Hartimit të projektit të Regjenerimit të brigjeve të Lumbardhit” janë prezantuar ditë më parë nga Komuna e Prizrenit dhe Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës.

Në postimin e kryetarit të Komunës në Facebook, mes tjerash thuhet se këto punime do të mundësojnë regjenerimin e brigjeve të Lumbardhit, duke përfshirë urat dhe kejët përreth lumit, që nga lagjja Marashi e deri tek ura përballë Brigadës së Zjarrfikësve, dhe se të gjithë ata që dëshirojnë t’i shohin këto punime, ato do të vazhdojnë që të jenë të ekspozuara në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha”
(linku: https://m.facebook.com/story.php?story_fbid=1215201365618038&id=276045686200282).

Ky projekt është iniciuar në Janar të këtij viti me marrëveshjen e nënshkruar mes dy palëve të mësipërme përmes së cilës do të mundësohej përfshirja e arkitektëve profesionalë në procesin e regjenerimit të urave dhe hapësirave përcjellëse në të dy anët e Lumbardhit. Marrëveshja parashikonte edhe përfshirjen e institucioneve përgjegjëse për Qendrën Historike të Prizrenit ku do të formoheshin grupet vlerësuese, hartuese dhe këshilluese
(linku: https://www.facebook.com/mhaskukaa/posts/1138499029954939)

EC Ma Ndryshe konsideron se këtë projekt të rëndësishëm për qytetin e Prizrenit, deri më tash e karakterizon jo-transparenca, mungesa e konkursit publik dhe çka është më e rëndësishmja mungesa e përfshirjes qytetare në proces.

Për këtë projekt, përpos dy njoftimeve të mësipërme, Komuna e Prizrenit nuk ka publikuar asnjë dokument apo marrëveshje rreth obligimit të palëve, gjegjësisht ato të Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës dhe Komunës së Prizrenit. Kjo dëshmohet edhe sot me një vizitë tek seksioni i vendimeve apo shpalljeve publike në webfaqen e komunës.

Me dy njoftimet e deritashme, nuk është e qartë nëse do të hartohet ndonjë studim për zonën e brigjeve të Lumbardhit, ndonjë “koncept projekt”, “projekt ideor arkitektonik” apo “projekt zbatues arkitektonik” i cili do ta kishte përfshirë edhe koston eventuale (paramasën e parallogarinë) të projektit të përgjithshëm të këtij investimi. E fundit, por jo më e parëndësishmja, nuk është publikuar afati i përfundimit të “hartimit të projektit” dhe potencialisht fillimi i punimeve ndërtimore në brigjet e Lumbardhit.

Përpos jo-transparencës së deritashme, Komuna e Prizrenit për këtë projekt nuk ka zbatuar procedurat tenderuese të kërkuara me ligj apo edhe ato të konkursit publik. Përmes konkursit publik do të kishim fillimisht koncepte e qasje të ndryshme dhe konkurruese të trajtimit të konceptit të përgjithshëm të regjenerimit të brigjeve të Lumbardhit. Pas aprovimit të qasjes së përgjithshme ajo më pas do të detajohej dhe aplikohej në segmente, gjegjësisht ura e keje të ndryshme.

Propozimi tashmë i publikuar nuk ka një koncept të gjërë të trajtimit dhe brigjet e Lumbardhit i ka ndarë në segmente të ndryshme duke u punuar në mënyrë të ndarë dhe të izoluar tek çdonjëra prej urave të cilën e kanë punuar “vullnetarisht” anëtarët, gjegjësisht arkitektët e Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës. Kjo qasje, sipas nesh konsiderohet joprofesionale dhe problematike pasi që kemi të bëjmë me një pjesë vitale të qytetit të Prizrenit, gjegjësisht atë të qendrës historike që mbrohet edhe me ligj. Mu për këtë arsye, konkursi publik dhe pjesëmarrja qytetare në përcaktim të Termave të Referencës në fillim të projektit ka qenë shumë e rëndësishme.

Duke i marrë parasysh njoftimet e bëra lidhur me këtë projekt, EC Ma Ndryshe konsideron se procesi i deritanishëm nuk ka qenë tërësisht transparent dhe plotësisht i hapur ndaj qytetarëve, grupeve të interesit dhe palëve të ndikuara direkt apo indirekt nga ky projekt. Për më shumë, komunikimi i deritanishëm i këtij projekti me publikun, shpërfill parimet e përcaktuara në Udhëzimin Administrativ për standardet minimale të konsultimit publik në Komuna, sikurse edhe dispozitat e tij për procesin e konsultimit publik.

Në rastin konkret, përfshirja qytetare nuk nënkupton vetëm konsultimin e qytetarëve apo bizneseve që tangjentohen nga brigjet e Lumbardhit por procesi duhet të përfshijë edhe grupet tjera të komunitetit nga lagjet tjera e mos të përmendim që kjo zonë është dhe frekuentohet nga vizitorë e turistë të ndryshëm.

Prezantimi i projektit në format të ekspozitës të mbajtur më 12 Maj në kej të Lumbardhit, ka qenë më shumë e dedikuar për media sesa prezantim e konsultim për qytetarë. Të njëjtën ditë, është deklaruar që ata që dëshirojnë t’i shohin këto punime, ato do të vazhdojnë që të jenë të ekspozuara në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha”. Fatkeqësisht, në ekspozitë nuk gjendet ndonjë zyrtar i Komunës apo kontakt (email / telefon) ku qytetarët do të mund të jepnin sugjerime apo kontributin e tyre.

Prezantimin e projektit në këtë format të ekspozitës ku “gjithçka tanimë ka përfunduar” vetëm se e konfirmojnë qasjen tipike të institucioneve ku qytetarët vetëm ftohen formalisht në këto ngjarje dhe nuk kërkohet kontributi i tyre i mirëfilltë. Për një projekt kapital të natyrës së tillë, që është i rëndësishëm për qytetin dhe zonën historike të tij, nevojitet që të sigurohet pjesëmarrja e publikut dhe atë në mënyrë të mirëfilltë, duke mundësuar përfshirjen e grupeve të ndryshme të komunitetit dhe marrjen e kontributit nga ata, që nga fazat më të hershme të hartimit të termave të referencës së projektimit.

Për hir të transparencës, duhet poashtu të cekim se EC Ma Ndryshe, në fillim të procesit është ftuar nga Komuna e Prizrenit për të kontribuar në hartim të këtij projekti. Pas komunikimit me zyrtarët përgjegjës të DUPH, pos tjerash, EC ka theksuar dhe kërkuar se një projekt i tillë gjithsesi duhet të bëhet përmes metodologjisë së planifikimit me pjesëmarrje të qytetarëve. Me këtë rast EC ka ofruar edhe gatishmërinë për organizimin e takimeve, përmes të cilave kërkesat, shqetësimet dhe nevojat e grupeve të ndryshme të qytetarëve do të mund të përfshiheshin që në fazën fillestare të ideimit dhe projektimit të këtyre intervenimeve. Sidoqoftë, sugjerimet dhe propozimet e EC-it nuk janë marrë parasysh nga DUPH ku edhe rrjedhimisht kemi refuzuar të jemi pjesë e grupeve punuese të caktuara për projekt. Mospjesëmarrja jonë është parimore pasi që nuk dëshirojmë të jemi pjesë e proceseve që mund të jenë jo-demokratike e të dëmshme për interesin publik të qytetarëve.

Si përfundim, EC Ma Ndryshe, ashtu siç e ka shprehur edhe në analizat e mëhershme, konsideron se vizioni i qytetit gjithëpërfshirës përkthehet në ambient fizik përmes projektimit gjithëpërfshirës dhe planifikimit pjesëmarrës. Projektimi gjithëpërfshirës ua mundëson qytetarëve nga grupe të ndryshme shoqërore dhe ekonomike që të marrin pjesë në hartim dhe t’i vlerësojnë projektet. Qasja fillestare te projektimi gjithëpërfshirës është që të binden anëtarët e komunitetit që të luajnë rol të rëndësishëm në hartimin e strategjive të hershme si dhe planifikimin e projekteve për qytetin e tyre, ku me anë të përfshirjes së gjithë komunitetit, problemet e vërteta, burimi i tyre dhe zgjidhjet potenciale parashtrohen dhe diskutohen në punëtori të ndryshme. Projektet dhe idetë që rrjedhin nga një punë e tillë me komunitetin, zakonisht janë të lidhur me kontekstin, dalin nga nevojat dhe kultura e komunitetit, dhe në të njëjtën kohë krijojnë ndjesi të fortë pronësie dhe përkushtimi ndaj projektit.

Për EC-in, ende mbeten të paqarta dhe potencialisht të dyshimta arsyet për veprime të nxituara lidhur me projektin e Regjenerimit të brigjeve të Lumbardhit, prandaj publikisht bën thirrje që në këtë projekt të rëndësishëm për qytetin dhe zonën e tij historike të sigurohet pjesëmarrja e mirëfilltë e publikut, dhe gjithsesi nga fazat më të hershme të projektimit.


Etiketa:

Bëni një koment