Projekti për sheshin “Skënderbej”, Rama: Do të jetë një sipërfaqe unike


E martë, 5 Prill 2016

Tiranë – Kryeministri Edi Rama prezantoi sot projektin për sheshin “Skënderbej”. Në fjalën e tij para të pranishmëve, Rama tha se kryeqyteti nuk ka pasur një shesh të vërtetë kryesor, por një zgjidhje shkel e shko për të siguruar kalimin e makinave dhe këmbësorëve.


“Sheshi është vendi që e bën një bashkësi individësh një komunitet. Sheshi është vendi që i bën fëmijët e një vendbanimi ta perceptojnë njëri-tjetrin si pjesë e jetës së tyre. Një qytet pa shesh si Tirana është në fakt një qytet pa komunitet. Në vend të një sheshi ne kemi një zgjidhje shkel e shko për të siguruar kalimin e makinave dhe një udhëkryq ku njerëzit nuk kanë asnjë sekondë për të qëndruar, por duhet të vrapojnë për të kaluar, ndërsa makinat presin të vazhdojnë rrugën”, tha Rama.

Kreu i qeverisë tha se sheshi sipas projektit të ri synon t’u japë hapësirë qytetarëve, duke u kthyer në një pikë takimi.

“Tirana u bë një qytet ku zemra mbeti një gropë, pa ambicie. Fati i Tiranës ndryshe nga ai i qyteteve të tjera është se Tirana nuk duhet të ndërtojë një shesh nga e para. Tirana vetëm duhet të demokratizojë vizionin që është aty, që në kohën e Zogut. Të transformojmë hapësirën në një hapësirë ku e shkuara, e sotmja dhe ardhmja bashkëjetojnë me njëra-tjetrën. Një hapësirë ku kushdo që kalon të ketë sensin nga është, nga vjen dhe ku shkon. A-ja për të pasur një shesh të tillë është fakti që ky shesh nuk mund të jetë i makinave, por i njerëzve. Ky shesh nuk mund të jetë një udhëkryq, por duhet të jetë një pikë takimi. Qyteti nuk duhet ta mbysë njeriun, por mes njeriut dhe qytetit të vendoset një ekuilibër, të cilin mund ta mbajë vetëm sheshi”, tha ai.

Rama tha se sheshi i ri do të kthehet në simbol të qytetarëve nga e gjithë Shqipëria.

“Janë tetë kopshte në natyrë, ku fëmijët, të moshuarit familjet mund të kalojnë kohën e tyre. Ka një avancim që në mendimin tim është avangardë, për konceptin urbanistik të kohës. Nuk bëhet fjalë për të mbjellë pemë nga ato që mbillen zakonisht. Bëhet fjalë për të sjellë në sheshin e Shqipërisë pemë nga e gjithë Shqipëria. Është fantastike dhe uroj që kjo të funksionojë deri në fund teknikisht, pasi e marr me mend se sa të vështirë do ta kenë pemë që vijnë nga larg të përballen me situata të caktuara, si p.sh. aktivistë agresivë që i bien pemës të dëgjojë dera. Do të sillen gurë nga të gjitha vendet ku jetojnë shqiptarët, sepse është një sipërfaqe unike”, tha ai.

Etiketa: , ,
Të fundit