E martë, 2 Qershor 2026

Prokurori i Shtetit dhe Policia e Kosovës kanë intensifikuar bashkëpunimin për garantimin e një procesi zgjedhor të rregullt, duke paralajmëruar masa ndaj rasteve të publikimit të votës nga qytetarët, veçanërisht gjatë votimit me postë.
Në një takim pune të mbajtur në Prishtinë, koordinatorja nacionale për zgjedhje, Laura Pula, së bashku me menaxherin e projektit strategjik “Mbrojtja e votës”, Besim Kusari, pritën zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, si dhe përfaqësues të tjerë të policisë.
Gjatë takimit u diskutua për koordinimin e aktiviteteve ndërmjet Prokurorit të Shtetit dhe Policisë së Kosovës, me fokus në ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe reagimin ndaj çdo parregullsie të mundshme.
Pula bëri të ditur se tashmë janë caktuar ekipet kujdestare të prokurorëve dhe zyrtarëve të sistemit prokurorial, të cilat do të jenë në gatishmëri për të trajtuar çdo shkelje që mund të paraqitet gjatë procesit zgjedhor.
Nga ana tjetër, koloneli Fehmi Hoti theksoi se edhe Policia e Kosovës ka angazhuar ekipe të posaçme kujdestare, të cilat do të kujdesen për sigurinë dhe mbarëvajtjen e procesit të votimit në të gjitha fazat e tij.
Institucionet njoftuan se kanë pranuar informacione se disa qytetarë, kryesisht nga diaspora, kanë fotografuar ose incizuar votën e tyre gjatë votimit me postë dhe më pas i kanë publikuar ato në rrjetet sociale. Sipas tyre, pas identifikimit të disa rasteve konkrete, tashmë kanë nisur verifikimet dhe trajtimi i postimeve të evidentuara.
Prokuroria dhe Policia kanë bërë thirrje që qytetarët të mos e bëjnë publike votën e tyre në asnjë formë, duke paralajmëruar se çdo veprim që cenon rregullat e procesit zgjedhor do të trajtohet sipas legjislacionit në fuqi.
Në përfundim të takimit, të dy institucionet ritheksuan përkushtimin për të vepruar në kohë dhe në koordinim të plotë për të parandaluar dhe trajtuar çdo keqpërdorim të mundshëm gjatë procesit zgjedhor.
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
