Prokuroria thotë se në shtator fillon gjykimi


E mërkurë, 19 Maj 2021

HAGË – Gjykatësi Nicola Giu ka pyetur ZPS-në nëse mund të japin datë për dorëzimin e dosjes paraprake. Ai ka thënë se data e synuar është mesi i tetorit.

Prokurorja ka thënë se parashtrimi i tyre për hetimet është i pandryshuar.

Ajo ka thënë se hetimet në përmbushjen e mandatit parashikohen të vazhdojnë dhe kjo nuk do të ndikojë në afatin e paragjykimit.

“Ne jemi të vetëdijshëm që do të na kërkohet autorizim gjyqësor dhe kur të dalin materialet shfajësues do t’i nënshtrohen nxjerrjes. Ne jemi në gjendje që këto materiale t’i paraqesim në mesin e tetorit. Ka një ndryshim nga parashikimi që kishim bërë më herët për në shtator. Në konferencën e fundit data në shtator ishte data më e hershme e parashikuar. Që atëherë na është bërë e qartë. Jemi në fazën kritike të këtij procesi dhe parashikojmë të vazhdojmë deri në shtator të vitit 2021. Parashtrimi ynë do të mbetet siç ka qenë. Do t’i bëjmë parashtrimet lidhur me kohën e propozuar dhe dorëzimin e dosjes paraprake ”,ka thënë prokurorja.

Avokati Prosper ka thënë se ka mbetur pa fjalë. Sipas tij Prokuroria kërkon që të kenë durim, por ai pyet, përse janë ata aty nëse ata nuk janë gati.

“Të akuzuarit kanë të drejtë të dinë pse akuzohen dhe ne nuk e dimë. Prokuroria thotë se janë duke bërë hetime të cilat do të vazhdojnë në një të ardhme të parashikueshme. Unë mund të flas edhe për vitin 2030. Ne duhet ta dimë se për çfarë afati bëhet fjalë. Këta njerëz janë privuar nga liria. Të gjithë klientët tanë rrinë larg familjeve pse prokuroria nuk është gati. Derisa prokuroria vazhdon hetimet atëherë duhet t’i kthehemi çështjes së lirimit të klientëve tanë derisa Prokuroria të jetë gati”, ka thënë.

Ai ka thënë se duke lejuar që të ndodhë kjo gjë, ky institucion do të njolloset.

Pierre Richard Prosper, avokat i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi ka pasur kritika të forta për Prokurorinë Speciale, pasi kjo e fundit nuk deklaroi ndonjë datë se kur mund t’i kryejnë hetimet paraprake.

Prosper tha se Prokuroria duhej të ishte gati pasi ka mbi një vit e gjysmë që e ka paraqitur aktakuzën.

“Prokuroria ka filluar punën para 5 viteve dhe duhej të ishte gati sepse ata e kanë paraqitur aktakuzën para 1 viti e gjysmë dhe ankohen se kanë punë tjera. Pse po e bëni aktakuzën atëherë? Na keni vënë në një pozitë ku klientët tanë kanë humbur lirinë sepse Prokuroria nuk është gati dhe ne po marrim materialin sipas tekave të tyre. Kjo është shqetësuese për ne dhe shkel të drejtat e njeriut”, tha ai.

Ai shtoi se ish-krerët e UÇK-së janë privuar nga prezumimi i pafajësisë, njofton Telegrafi.

Etiketa: ,
Të fundit