Protesta në veri – bëhet thirrje për formimin e Asociacionit


E diel, 6 Nëntor 2022

MITROVICË – Në veri të Mitrovicës është mbajtur protesta e serbëve kundër vendimit të Qeverisë për targat. Të pranishmëve në këtë protestë iu drejtua kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq dhe nënkryetari i saj, Igor Simiq.

Kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq ka bërë thirrje që të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Ai ka shtuar se “në ditën kur kemi vendosur që të largohemi nga institucionet e Kosovës, e kemi bërë të qartë se zgjidhja e problemeve është nëpërmjet dialogut për një jetë më të mirë për serbët, shqiptarët, boshnjakët, goranët, romët dhe të tjerët”

“Dje kemi dhënë dorëheqje, sot po ua kthejmë mandatin, pasi ju na keni zgjedhur e jo Prishtina”, ka thënë Rakiq.

Ai ka shtuar se nuk ka kthim mbrapa.

“Albin Kurti e Vjosa Osmani dhe drejtuesit e tjerë me dhjetëra herë kanë thënë se për ta nuk ekzistojnë marrëveshjet e Brukselit dhe se nuk do të ketë Asociacion të Komunave serbe. Ne do ta vazhdojmë luftën tonë në atë që është e shkruar në marrëveshjet e Brukselit, siç është formimi i Asociacionit të Komunave serbe, duk i plotësuar të gjitha kushtet ashtu siç është nënshkruar në Bruksel. E përshëndetim kryetarin Aleksandar Vuciq dhe shtetin tonë – Serbinë. Ne nuk do të tërhiqemi dhe nga këtu nuk ka kthim mbrapa”, tha Rakiq.

Nënkryetari, Igor Simiq ka thënë se po luftojnë për paqe dhe stabilitet për të gjithë qytetarët pa dallim.

“Luftojmë për paqe, për stabilitet. Edhe për serbët edhe për shqiptarët edhe për boshnjakët edhe goranët e të gjithë të tjerët”, ka thënë ai para qytetarëve serbë të Kosovës”, tha Simiq.

Etiketa: , , , ,
Të fundit