E martë, 21 Korrik 2015
Opozita dhe mazhoranca përplasen për luftën kundër korrupsionit dhe trafikut të lëndëve narkotike. Shkak këtë herë është marrëveshja me Shtetet e Bashkuara të Amerikës e cila i vjen në ndihmë Shqipërisë në luftën kundër trafikut të drogës.
Gjatë diskutimeve në Komisionin e Jashtëm, deputeti demokrat Aldo Bumçi përshëndeti marrëveshjen, por akuzoi qeverinë se nuk ka vullnet politik për të luftuar trafikun e lëndëve narkotike. Në përgjigje të tij ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri i pranishëm në komision për të prezantuar projektligjin, tha se faktet tregojnë se ka një vullnet të plotë politik ndaj dhe vjen kjo mbështetje e SHBA-ve.
Por sipas tij po kaq vullnet për të luftuar pandëshkueshmërinë duhet të ketë dhe nga opozita ndërsa iu drejtua personalisht deputetit Bumçi duke i kujtuar se nga zyra e tij, kur ishte ministër, kanë dalë fakse adresuar Shkëlzen Berishës, lidhur me ngjarjen e Gërdecit ku mbetën të vrarë 26 persona, por ai nuk ka shkuar para drejtësisë. Edhe më i ashpër ishte reagimi i kryetares së komisionit, Arta Dades e cila theksoi se opozita vazhdon të ketë në krye të saj, de-fakto, një kriminel i cili çoi fishekë në Srebrenicë dhe bëri trafik me naftën duke i ardhur në ndihmë makinerisë së Milosheviçit. Debate janë zhvilluar edhe në Komisionin e Ekonomisë ku është diskutuar e njëjta marrëveshje.
Përplasja
“Kjo ndihmë bujare është shumë e rëndësishme por sa e rrisim ne besimin e publikut dhe organeve ligjzbatuese kur ambasadori i SHBA-ve dhe BE-së dolën dhe kërkuan publikisht që mos kandidonin persona me të shkuar kriminale dhe ju e bëtë. Shembuj ishin rasti i Kavajës apo i Krujës. Ne e mbështesim marrëveshjen por sjellja konkrete tregon të kundërtën, siç kanë qenë dhe raste kur në makina deputetësh janë fshehur njerëz që janë marrë me trafikun e lëndëve narkotike”, – deklaroi dje Bumçi. Në përgjigje të tij ministri Tahiri theksoi se ka ende kohë që opozita t’i bashkohet luftës kundër kriminalitetit e trafikut të drogës.
“Pavarësisht se dua të besoj se shqetësimi juaj është i sinqertë, ma do mendja keni pasur po të njëjtin shqetësim kur kryetari i partisë që përfaqësoni ka shkruar në Lazarat dhe ka deklaruar, në fushatë elektorale, se ‘ua hoqën drogën këtu për ta mbjellë në vend tjetër’. Kur unë besoj se më e pakta do të ishte të dënonte kultivimin e lëndëve narkotike në atë fshat. Apo kur ish-kryeministri ka deklaruar se Policia e Shtetit po u bie në qafë banorëve të Lazaratit”, – tha Tahiri. Ai deklaroi se opozita jo vetëm nuk distancohet nga këto ngjarje por edhe i bën vizitë në burg një të dënuar nga gjykata për korrupsion e shpërdorim detyre siç është rasti i Xhelal Mziut, të cilin edhe e kandidoi për kryetar bashkie. Tahiri kujtoi dhe fakset e dala nga zyra e Bumçit kur ai ishte ministër, adresuar djalit të ish-kryeministrit Berisha.
“Ka nevojë për ndëshkueshmëri dhe nuk kam pse ta fsheh, ndoshta dhe ju vetë duhet të ishit thirrur të paktën një herë për 26 viktima në Gërdec se keni qenë ministër dhe nga zyra juaj kanë dalë fakse për djalin e ish-kryeministrit, duhet të ishit pyetur të paktën një herë”, – tha ai. Por sipas Bumçit nuk ka asnjë të vërtetë në këto deklarata ndërsa shtoi se ministri po devijon nga tema sepse nuk mund të përgjigjet. Edhe në Komisionin e Ekonomisë ministri Tahiri është përplasur me deputetët e opozitës të cilët akuzuan qeverinë se ka kthyer Shqipërinë në oaz të drogës.
Pas debateve të dyja palët në komisione kanë dhënë votën pro projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për kontrollin e lëndëve narkotike dhe zbatimin e ligjit”. Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ofron një fond prej 7 778 000 dollarë me qëllim realizimin e dy projekteve: “Zhvillimi i sektorit të drejtësisë penale” dhe “Zhvillimi i zbatimit të ligjit”.
Debatet mes mazhorancës dhe opozitës për trafikun e drogës
Komisioni i Ekonomisë
Florion Mima: Ne sot kemi arritur në këtë fazë që hapën gazetat me një titull, që Shqipëria është bërë oazi i heroinës, loja paska qenë me kanabisin.
Saimir Tahiri: Kryetari i partisë tuaj shkoi në Lazarat dhe deklaroi se ajo që u bëri shteti dhe policia këtu është e padrejtë sepse ju hoqën ju drogën dhe e çuan në vend tjetër. Këtu ka ish-ministra, në këtë sallë, që kanë shkuar para drejtësisë për mosdeklarim pasurie dhe nuk janë para drejtësisë ende. Po ja pra kjo është lufta kundër pandëshkueshmërisë.
Ridvan Bode: Lufta për dekriminalizmin e institucioneve ka mbetur në mes të rrugës nuk është pranuar nga ana e mazhorancës aktuale. Kam frikë se nuk do të kemi luftë efiçente për aq kohë sa vullneti politik nuk ekziston.
Debatet në Komisionin e Jashtëm
Aldo Bumçi: Nuk ka ndodhur në 24 vite që SHBA-ja, partneri ynë kryesor të merret me emra që kandidojnë. Ky është një shembull kundër frymës së kësaj marrëveshje. Ne e mbështesim marrëveshjen por sjellja konkrete tregon të kundërtën, siç ka qenë dhe raste kur në makina deputetësh janë fshehur njerëz që janë marrë me trafikun e lëndëve narkotike…
Arta Dade: Nuk mbulohet dot, kontrabanda e naftës dhe fishekët “Made in Albania”, në Bosnjë, te varret e Srebrenicës ndaj mos i zgjeroni çështjet se dilni shumë keq. Kriminelë janë të gjithë ata që shkelin ligjin dhe aq më tepër ndihmojnë në krime monstruoze si lufta e Bosnjës.
Namik Dokle: Unë do të kërkoja vetëm një gjë nga ministri, që në buxhetim të jemi më të vëmendshëm me pika konkrete që të jemi partnerë të denjë. Sa i përket vullnetit nuk kam asnjë dyshim që ai ekziston edhe te qeveria e cila përfaqëson votuesin, elektoratin shqiptar ata që votuan pro por dhe ata që votuan kundër se të gjithë jemi të vullnetshëm për luftën kundër krimit dhe narkotrafikut. Dhe jo si ata kandidatë që për të fituar vota kanë çuar fidanë kanabis nëpër fshatra, shtëpi më shtëpi, kandidatët tuaj.
Aldo Bumçi: Ti denoncojmë të gjithë…
Namik Dokle: I ka denoncuar populli se i krasiti dy herë me radhë, edhe të tretën do i krasitë.
Saimir Tahiri: Nuk shkon që nga njëra anë të flisni për dekriminalizim dhe nga ana tjetër t’i shkoni në burg Xhelal Mziut, për shembull, që edhe është dënuar për korrupsion e shpërdorim detyre dhe sot është në detyrë. Kjo nuk ka moral siç nuk ka moral kur ju vetë flisni, kur prokuroria ka dhënë fakte të pamohueshme që nga zyra juaj kanë dalë fakse me mbishkrimin për Shkëlzen Berishën, për Gërdecin. Përgjigjuni për këtë dhe pastaj mund të keni integritetin e mjaftueshëm dhe moralin e mjaftueshëm për t’i shitur publikut domosdoshmërinë për të pasur ca të vërteta të tilla.
Aldo Bumçi: Fakti që këmbëngulni në ngjarje të kaluara, të pavërteta sepse nuk ka asnjë fakt zyrtar nga prokuroria që të ketë pasur një dokument të tillë me mbishkrim, as edhe një të vetëm, tregon se ju nuk mbroni dot çështjet që unë ngrita. Kjo është një sajesë e luftës politike.
Suela Topi
Etiketa: pd, PS, Saimir Tahiri, Shqipëri