E mërkurë, 6 Qershor 2018
Prishtinë – Fondi Monetar Ndërkombëtar, i ka bërë thirrje Kosovës të mos vazhdojë tutje me Ligjin për punëtorët e arsimit gjatë viteve 1990, sepse do të ishte një kosto shumë e lartë për një vend të varfër siç është Kosova.
Qeveria e Kosovës e ka proceduar për në Kuvend, Projektligjin për Statusin e Punëtorëve në Arsim të viteve të 1990-ta, pas një presioni të madh nga sindikatat e arsimit pasi në të kundërtën të njëjtat kanë përmendur organizimin e grevave afatgjate.
Parlamenti në parim e ka votuar këtë Ligj.
“Rreziqet fiskale janë rritur. Sa i përket kësaj, FMN këshillon që mos të procedohet tutje me ligjin aktual për kompensimin e mësuesve, duke marrë parasysh koston direkte dhe indirekte që pritet ta rëndojë buxhetin për shumë vjet”, ka thënë Stephanie Eble nga FMN në një komunikatë për shtyp.
Një delegacion i FMN-së, i udhëhequr nga Eble ka vizituar Kosovën nga 30 maji deri me 5 qershor, për të diskutuar me zyrtarë vendorë për ekonominë e Kosovës.
Sipas FMN-së, rritja ekonomike e Kosovës për vitin 2018 pritet të jetë rreth 4 për qind.
Etiketa: Aktuale, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Kosova, Mësimdhënësit