E shtunë, 7 Maj 2016
Tiranë – Debati për Reformën në Drejtësi është në fazën e tij më të nxehtë. Takimet e shpeshta të ambasadorëve Lu e Vlahutin me palët politike dhe Komisionin e Posaçëm janë dëshmia më e qartë e angazhimit ndërkombëtar që kjo reformë të finalizohet me sukses.
Pikërisht takimet e shpeshta të ambasadorit të SHBA, Donald Lu me ish-kryeministrin Berisha, shefin e opozitës Basha dhe prania e tyre në Komisionin e Posaçëm për këtë reformë jetike janë gjithashtu dëshmi e një angazhimi të paprecedent që kjo reformë të votohet një orë e më parë, shkruan lexo.al.
Megjithë deklaratat e forta të ambasadorit Lu në Komisionin e Posaçëm ku deklaroi se “Nëse kjo reformë dështon ju anëtarët e këtij komisionin turpëroni veten përpara shqiptarëve. Gjithashtu do të turpëroni marrëdhënien tuaj me SHBA dhe BE“, Partia Demokratike kërkoi sërish kohë deri të hënën për të krehur edhe një herë draftin e ekspertëve ndërkombëtarë. Ndërkohë që kryeministri Rama u shpreh menjëherë pas deklaratës së ambasadorit Lu se “Asnjëherë më dakord se sot me ambasadorët e SHBA-BE! Koha e ballos me maska po mbaron. PS gati të votojë që sot Reformën në Drejtësi”, duke përsëritur kështu gatshmërinë e PS-së për votimin e kësaj reforme sa më parë. Në të njëjtën linjë qëndroi edhe kryetari i LSI-së, njëherësh kryetari i Kuvendit, Ilir Meta.
I vetmi që nuk është prononcuar për Reformën në Drejtësi është ish-kryeministri Berisha. Gjatë seancës parlamentare të dy ditëvë më parë Berisha pati kohë që të përsëriste të gjitha arritjet që, sipas tij, kishte patur në 8 vjet si kryeministër dhe natyrisht të akuzonte qeverinë aktuale për dështimet që sipas tij po kalon. Në asnjë moment nuk përmendi Reformën në Drejtësi. Madje, as kur kryeministri Rama e sfidoi disa herë duke i thënë “Sali, do e votojmë reformën në drejtësi”, ai nuk reagoi për këtë çështje, duke vijuar sërish me sukseset e tij dhe dështimet e qeverisë “Rama”. Po, pse Berisha nuk flet për Reformën në Drejtësi? Në draftin final të grupit të ekspertëve, ku ekspertët e huaj të EURALIUS dhe OPDAT kanë bërë ndryshimet rekomanduara nga Venecia, Berisha ka një nen që mesa duket nuk e kapërdin dot. Bëhet fjalë për pikën 135 të nenit 25, ku sa i përket gjykatave ndryshon si më poshtë “Gjykata e posaçme e shkallës së parë dhe e apelit për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe të akuzave penale kundër funksionarëve të lartë, krijohet me ligj.
Funksionarë të lartë përfshijnë Presidentin në detyrë dhe ish Presidentët e Republikës, Kryetarin në detyrë dhe ish Kryetarët e Kuvendit, Kryeministrin në detyrë dhe ish Kryeministrat, anëtarët e Këshillit të Ministrave në detyrë, anëtarët e Këshillit të Ministrave gjatë tre viteve të fundit, Prokurorin e Përgjithshëm, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, Kryetarët e Bashkive dhe deputetët e Kuvendit, zëvendësministrat, anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës së Lartë Administrative, dhe drejtuesit e institucioneve shtetërore qëndrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj. Siç shihet, i vetmi nga qeveria e shkuar që preket nga ky ndryshim është ishkryeministri Berisha. Në ligj nuk parashikohet që ish-ministra apo funksionarë të tjerë të lartë të përfshihen, nëse kanë kaluar 3 vjet, ndërkohë që për kryeministrat nuk ka afat të caktuar. Pra, kryeministrat i cilësdo periudhë futen në sitën e drejtësisë. Por a është ky neni që vonon reformën në drejtësi? Në fakt, është Berisha që jo vetëm e vonon, por edhe e pengon reformën, sepse nuk e kapërdin dot këtë nen. Ka frikë. Ndoshta ish-kryeministri kërkon sigurinë e tij të plotë, pra ndryshimin e këtij neni.
Por deklarata e LUsë nuk pajtohet me këtë synim, siç nuk pajtohet as mazhoranca. Është pikërisht ky ndryshim që bën Bërishën të kërkojë manifestimin e dhunës dhe e detyron atë të jetë ekstremisht i ashpër me deklaratat e tij. Siç nga ana tjetër detyron Partinë Demokratike të kërkojë kohë për të riparë draftin. Sepse thembra e Akilit të Berishës mesa duket është vetëm një nen, që e përkthyer ndryshe do të thuhej se reformën e pengon një njeri dhe ai është Sali Berisha. Ish-kryeministri i cili preket nga një ligj, siç preken edhe ish-kryeministrat e tjerë. Sikleti i Berishës dhe çoroditja e PDsë nga ana tjetër ka edhe një faktor tjetër. Meqë ndryshimet sipas rekomandimeve të Venecias janë kryer nga ekspertët ndërkombëtarë të EURALIUS dhe OPDAT, Berishës dhe Partisë Demokratike i ka humbur edhe dega e vetme ku PD është kapur gjatë gjithë procesit; “Ekspertët janë të politizuar”. Sot kjo tezë e Berishës ka rënë sepse ekspertët nuk janë të asnjërës palë, janë ndërkombëtarë, rekomandimet janë të Venecias.
Hoffman: Negociatat, pas reformës
Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Helmut Hoffman, u shpreh dje se miratimi i reformës në drejtësi do të mundësojë çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Gjatë Konferencës “Shqipëri-Serbi, drejt të ardhmes në BE”, që po zhvillohet në Durrës, ambasadori gjerman theksoi se shpreson në një miratim të shpejtë të reformës në drejtësi. “Kemi shprehur besimin se do të miratohet reforma në drejtësi dhe ne shpresojmë në miratimin e saj. Kur themi reformë në drejtësi, flasim për rëndësinë e saj. Procesi për hyrjen në BE duhet kohë të zhvillohet. Nëse miratohet reforma pres që komisioni të dalë në një rezultat pozitiv për hapjen e negociatave”, u shpreh Hoffman. Sipas tij, procesi i integrimit kërkon kohë dhe këtë të gjithë e dinë. I pranishëm në këtë konferencë, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u shpreh se pa ndihmën e ambasadorëve, është e vështirë të çohet përpara reforma në drejtësi. “Pa ambasadorët, reformën në drejtësi e kemi të vështirë ta çojmë përpara ndaj ne duhet të çlirohemi nga komplekset”, theksoi Meta.
Vlahutin: Bëjeni reformën në drejtësi
Abasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, që së bashku me Donald Lu, kanë luajtur shpesh herë negociatorin mes politikanëve shqiptarë për reformën në drejtësi kërkoi dje që politika të kalojë sa më shpejt draftin e ekspertëve të huaj. “Shpresoj që reforma të miratohet sa më shpejt. Kjo është një mundësi që të marrë rekomandimin për hapjen e negociatave. Fatkeqësisht vendi juaj ka humbur shumë mundësi, shumë shanse për ndërtimin e shtetit, modernizimin dhe kjo nuk ka qenë zgjedhja juaj, por ama në këtë moment, kjo punë duhet vazhduar, dhe kjo është zgjedhja juaj. Nuk do të heqim dorë, nuk do të lodhemi dhe nuk të humbasim durimin. Keni mbështetje të plotë, por nuk do ta bëjmë ne atë që duhet ta bëni ju”, u shpreh ambasadorja e BE.
Vlahutin, nga ana tjetër, i ka konsideruar të rinjtë shqiptarë si një forcë e madhe, ndërkohë që iu ka bërë thirrje atyre që të përfshihen në vendimmarrje në mënyrë që e ardhmja e tyre të bëhet më e mirë. Po ashtu, ajo ka shtuar se integrimi i vendit është një mundësi e mirë për përmirësimin e jetës, por ajo theksoi se dialogu mbetet çelësi i suksesit për çdo proces. “Një çështje e rëndësishme është dialogu. Këtu ka mungesë dialogu, por cilësia e dilogut nuk është të thuash atë që mendon por të kuptosh atë që të tjerët mendojnë ndryshe. Edhe pse duhet të dialogojnë me njerëz me pikëpamje të ndryshme, dialogu është i rëndësishëm. Dialogu i’u bën të përfshiheni në vendimmarrje. Ju jeni e ardhmja dhe çdo gjë varet nga ajo që do të bëni ju. Fuqia tjetër që keni ju, janë prindërit. Çdo vendim që merrni duhet ta diskutoni me prindërit. Keni më shumë pushtet sesa mendoni. Integrimi për përmirësimin e jetës”, tha Vlahutin./shekulli/
Etiketa: Sali Berisha, Shqipëri