E martë, 10 Mars 2026

Sipas një studimi të fundit të publikuar në platformën PsyArXiv, sekretet mund të shndërrohen në burim shqetësimi dhe ndjenjash negative që godasin fort mirëqenien tonë emocionale.
Problemi kryesore nuk qëndron te përmbajtja e sekretit, por te faktori konjitiv: prirja e mendjes për t’u rikthyer spontanisht tek ai, duke na “kujtuar” në mënyrë të pandërprerë se ekziston diçka që duhet mbajtur e izoluar nga bota.
Kërkimi shkencor përfshiu 240 vullnetarë, të përzgjedhur nën kriterin unik që të zotëronin të paktën një të fshehtë. Rezultatet treguan se mesatarisht, një individ mban rreth nëntë sekrete, të cilat klasifikohen si të një rëndësie mesatare.
Tematikat më të shpeshta që njerëzit zgjedhin të mos i ndajnë me të tjerët përfshijnë gënjeshtrat, pakënaqësitë me paraqitjen fizike, krizat financiare, dëshirat romantike të paplotësuara dhe sjelljet seksuale.
Vlen të saktësohet se ky analizim u fokusua vetëm te personat që pohuan se kishin sekrete. Prandaj do të ishte e pasaktë të pretendohej se “çdo njeri” mbart nëntë të tilla, duke lënë jashtë ata që mund të mos kenë asgjë për të fshehur.
Përgjatë dy javëve, pjesëmarrësit mbajtën një ditar të detajuar ku regjistruan frekuencën dhe natyrën e mendimeve lidhur me sekretet e tyre.
Duke i ballafaquar këto të dhëna me matjet ditore në kohë reale, studiuesit identifikuan një element paradoksal: individët tentojnë të mendojnë për sekretet më shumë në nivel pavetëdijshëm, sesa përmes një procesi të vullnetshëm.
Zbulimi më intrigues i këtij studimi, tregon se në ditët kur vullnetarët reflektonin qëllimisht mbi sekretet e tyre, ata përjetonin më pak ankth, duke arritur deri aty sa të fantazonin për to me nuanca pozitive.
Krejt e kundërta ndodhte kur mendimi shfaqej në mënyrë spontane dhe ndërhyrëse. Në këto raste, ai provokonte një rreth vicioz shqetësimi që ishte tejet i vështirë për t’u ndërprerë.
Si përfundim, ekspertët argumentojnë se pasojat negative në ekuilibrin emocional nuk vijnë nga përpjekja aktive për të mashtruar të tjerët, por nga cikli i reagimeve që shkaktojnë mendimet obsesive.
Shkalla e dëmit që pëson shëndeti ynë mendor, përcaktohet drejtpërdrejt nga shpeshtësia me të cilën sekreti “troket” në dyert e vetëdijes sonë. /tesheshi.com/
Burimi: tesheshi
