Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Pse nuk u tha asnjë fjalë për shqiptarët e Maqedonisë?

Prizren Post | 12:55 - 18.01.2014


ALBIN KURTI

Të shtunën e 11 janarit, në Prizren, u zhvillua një takim i përbashkët i dy qeverive: Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë. Pa dyshim që të gjithë shqiptarët jo vetëm të këtyre dy vendeve i gëzohen shumë takimeve të këtilla. Ato japin shpresë se thënia ‘bashkimi bën fuqinë’ ka nisur të shënojë jo vetëm porosinë e Skënderbeut por edhe aktualitetin tonë politik.

Gëzimi për këtë takim dhe epitetet që iu dhanë atij tregojnë se sa shumë vetëcensurë ka ndër shqiptarë. Ajo që do të duhej të ishte gjëja më e zakonshme dhe më normale e mundshme përjetohet e rrëfehet si ngjarje aq e posaçme saqë historike. Edhe në këtë takim kishte shumë më tepër brengosje për shikimin e të tjerëve sesa për vullnetin tonë. Shtypja e kombit shqiptar nga jashtë dhe ndrydhjet e brendshme të shqiptarëve për kombin përbëjnë dy anë të së njëjtës medale.

Duhet të jemi kombëtarë që të inkurajohemi nga takimet midis dy qeverive, por edhe duhet të jemi politikë që të kuptojmë se mbledhja nuk garanton vetvetiu zhvillim e përparim. I kemi parë kryeministrat e ministrat të jenë takuar bashkë, por, dorën në zemër, nuk i kemi parë ende të kenë punuar bashkë (që të mund të flasim për bashkëpunim).

Në anën tjetër, kemi pasur edhe takime të tjera që kanë rezultuar edhe me marrëveshje por që nuk janë zbatuar. Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës në maj të vitit 2011 ka marrë nismën për përfaqësim të përbashkët ose reciprok midis Kosovës e Shqipërisë. Ministritë e punëve të jashtme të Kosovës e Shqipërisë e reduktuan këtë në marrëveshje për konsullata të përbashkëta, e cila u nënshkrua në janar 2012 dhe hyri në fuqi në prill 2012. Kjo marrëveshje nuk u zbatua kurrë. Madje, tash së fundi, ministri Hoxhaj njoftoi se Kosova po e hap një konsullatë të përgjithshme në Milano të Italisë e që është gjithsesi e panevojshme. Shqipëria tanimë e ka një të tillë në Milano dhe dihet që numri i shqiptarëve të Kosovës në Itali pa dyshim që është i pakrahasueshëm me ata të Shqipërisë atje.

Pra, përveç që takimet e përbashkëta nuk garantojnë bashkëpunim, ngjashëm edhe marrëveshjet e nënshkruara nuk garantojnë realizim. Thelbi është te puna e përbashkët e jo vetëm te takimet e ndërsjella, te zbatimet e marrëveshjeve e jo vetëm te akti ceremonial i nënshkrimit të tyre. Nuk duhet të harrojmë se Kosova e Shqipëria janë shumë më pak të integruara me njëra-tjetrën se vendet e Bashkimit Evropian. Ne nuk e kemi monedhën e përbashkët, nuk kemi Bankë Qendrore të përbashkët, nuk kemi treg të përbashkët dhe as nuk bëjmë ligje të përbashkëta.

Mbase shprehje e skepticizmit për mbledhjen dhe marrëveshjen në Prizren midis dy qeverive ishte edhe fakti i eklipsimit të atyre nga i vetmi zotim konkret që përmbante një shifër brenda vetes: 100.000 euro për maternitetin në Preshevë! Pavarësisht se sa do të shtohet në të ardhmen fondi për mbështetje zhvillimore për Luginën e Preshevës, ai nuk është dashur që bazën fillestare ta ketë vetëm 100.000 euro dhe as të nis vetëm për çështjen e maternitetit. Është simptomatike qysh ndihma filloi dhe, tash për tash, u kufizua te materniteti, përkatësisht lindja e fëmijëve. Kështu, shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc do të mund të lindin edhe më kollaj teksa jetojnë gjithnjë e më vështirë.

Përderisa maternitetit në Preshevë po i ndaheshin 100.000 euro, njëkohësisht komunave në veri të Ibrit iu ndanë edhe 13 milionë euro shtesë nga buxheti i Kosovës për vitin 2014, për punësime të reja në administratë dhe shërbime publike atje, gjithnjë në kuadër të zbatimit të marrëveshjes Thaçi-Daçiq. (Thua se deshën të na e përkujtojnë që Kosova e shqiptarët varen e dominohen nga marrëveshjet Thaçi-Daçiq e jo nga ato Thaçi-Rama). Madje, kjo ndodh përkundër faktit që në veri të Ibrit jetohet dy herë e gjysmë më mirë se në jug të Mitrovicës (që paraqet qytetin më të pazhvilluar të Kosovës e me mjerimin më të madh social).

Shqiptarët e Luginës së Preshevës, sikurse edhe shqiptarët në Mal të Zi e Maqedoni, e paguan çmimin më të lartë për pavarësinë e Shqipërisë dhe pavarësinë e Kosovës sepse kontribuan njësoj (në mos edhe më shumë) për këto pavarësi, por mbetën jashtë që të dyjave, të shtypur politikisht e të shfrytëzuar ekonomikisht. Në Prizren, asnjë fjalë nuk u tha për këto.

Nga kjo mbledhje e përbashkët, sidomos dy deklarime ishin shqetësuese. Së pari, në marrëveshjen që nënshkruan dy kryeministrat, te Politika e Jashtme, mbështetet avancimi i dialogut midis Kosovës e Serbisë. Kur kemi parasysh koncesionet marramendëse dhe kompromiset e kalbura të Thaçit me Daçiqin, sigurisht që pikërisht ngecjet e dialogut do të ishin lehtësim për Kosovën. Kryeministri i Shqipërisë Rama duhet të jetë i vëmendshëm që të mos lejojë që me mbledhje të këtilla Thaçi ta instrumentalizojë Shqipërinë për të legjitimuar pazaret e tij me Serbinë.

Së dyti, në Prizren u tha që nuk do të ketë ndryshim kufijsh. Më së shumti që mund të thonë kryeministrat, qeveritarët dhe politikanët e Kosovës e të Shqipërisë është se nuk do të ketë ndryshim të kufijve me dhunë, mirëpo jo se nuk do të ketë ndryshim të kufijve! Nëse qytetarët në mënyrë demokratike dhe paqësore vendosin për t’i hequr dhe ndryshuar kufijtë atëherë pikërisht kundërshtimi i kësaj paraqet dhunë dhe padrejtësi.

E vërteta e mbledhjes së parë do të jetë mbledhja e dytë, atëherë kur do të shohim se çka u bë e u realizua midis dy takimesh dhe a po zhvillohemi përmbajtësisht bashkë si komb apo vetëm sa po takohemi formalisht si politikanë.

*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.


Arivisti Company