E premte, 27 Qershor 2025
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se Moska është e gatshme të mbajë raundin e ardhshëm të bisedimeve të paqes me Ukrainën në Stamboll, transmeton Anadolu.
Duke folur në një konferencë për media në Minsk të Bjellorusisë, Putin tha se data e raundit të tretë të bisedimeve ruso-ukrainase në Stamboll do të përcaktohet pas përfundimit të shkëmbimeve të të burgosurve të luftës, të negociuara në Turqi më 2 qershor.
“Në përgjithësi, ne jemi gati për këtë, duhet të koordinojmë vendin dhe kohën. Shpresoj që presidenti i Republikës së Turqisë, z. Erdoğan të mbetet në qëndrimin e tij për të mbështetur këtë proces dhe ne jemi shumë mirënjohës ndaj tij për këtë”, tha Putin.
Ai tha se datat e takimit të ardhshëm ruso-ukrainas do të përcaktohen nga kreu i ekipeve negociuese.
“Ne jemi të gatshëm të zhvillojmë një takim të tillë në Stamboll. Por kur konkretisht, janë udhëheqësit e grupeve nga të dyja palët dhe ata janë në kontakt të vazhdueshëm, ata tani po bien dakord për kohën e takimit”, tha ai.
Presidenti rus gjithashtu tha se sipas mendimit të tij ekipet duhet të diskutojnë memorandumet mbi një traktat të paqes.