Qeveria barazoi Njësinë Speciale me barrikaduesit e jashtëligjshëm


E enjte, 30 Shtator 2021

PRISHTINE – Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar pas marrëveshjes së arritur sot në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë sa i përket çështjes së targave.

LDK thotë se ka përcjellur me vëmendje ngjarjet në veri të vendit, që nga dita e parë e deri në ditën e sotme, kur u arrit marrëveshja në Bruksel.

“LDK-ja i ka dhënë mbështetje Qeverisë së Kosovës për shtrimin e sovranitetit në gjithë territorin e vendit, si dhe në çështjen e reciprocitetit, si masë e drejtë dhe e domosdoshme në relacionet politike e tregtare me Serbinë. Po ashtu, LDK-ja ka konsideruar se dialogu është formë e vetme e trajtimit të problemeve ndërshtetërore; së këndejmi pjesëmarrja në dialog e një partie sot në pushtet që për gjithë kauzën e vet historike e kishte kundërshtuar si mjet, ndonëse kthesë e jashtëzakonshme, ishte e vetme dhe e paalternativë”, vijon reagimi.

Tutje, në reagim thuhet se “përkundër mbështetjes së opozitës, partia në pushtet, që deri dje refuzonte dialogun si mjet, sot bëri një hap para dy prapa”.

“Ndonëse vlerësojmë arritjen e barazisë në trajtimin e targave, e kundërshtojmë fuqishëm barazimin e paprecedentë dhe me pasoja afatgjata që Qeveria e Republikës së Kosovës i bëri forcave të sigurisë e ligjshmërisë me barrikadat e sponsorizuara nga Serbia. Qeveria e Kosovës, për herë të parë, barazoi Njësinë Speciale Policore me barrikaduesit e jashtëligjshëm. I bëri pra palë; palë me të cilën për territorin e vet duhet të merret vesh me Serbinë.

Në vend të shtrimit të sovranitetit e ligjshmërisë, sot, Qeveria e Kosovës, u tërhoq dhe dorëzoi këtë sovranitet tek një palë e tretë. Për më tepër, këtë tërheqje e bëri në pajtim me Serbinë që nuk na njeh. Ky vend fqinj, Serbia pra, nga sot jep pëlqim ose jo mbi organizimin e ligjshëm të territorit të Kosovës. Pra pajtimi i Serbisë, se si rregullohet ligjshmëria në Kosovë, ku qëndrojnë Njësitë Policore e kur e në çfarë afati largohen ato, është prapakthim i rëndë. Mbi të gjitha, është precedent i rrezikshëm për të ardhmen; nga tani, sa herë që forcat e rendit shkojnë në Veri për të vënë ligjshmëri, barrikadat ngrihen e Kosova duhet të negociojë me Serbinë për largimin e tyre”, thekson komunikata e LDK-së.

Tutje, LDK-ja po ashtu kundërshton fuqishëm, legjitimitetin e tabelave të qyteteve të Kosovës të lëshuara në Serbi.

Etiketa: , , ,
Të fundit