Qeveria dhe opozita bien dakord, rritet paga minimale


E shtunë, 30 Prill 2016

Tiranë – Qeveria dhe opozita janë në një mendje për nevojën e rritjes së pagës minimale, ndërsa konsumi prej disa muajsh po tregon shenja ngadalësimi.

Si rrallëherë, qeveria dhe opozita u përplasën dje, jo për të mos rënë dakord, por për të thënë në mënyrë të veçantë se, paga minimale në Shqipëri duhet rritur. Aktualisht ajo është në nivelin 22 mijë lekë në muaj (pak më tepër se 180 dollarë, ose 157 euro) dhe vlerësohet ndër më të ulëtat në Europë. Megjithatë qeveria duket se ka plane konkrete për ta rritur pagën minimale, duke i bërë ballë edhe një kundërshtimi historik nga punëdhënësit në sektorin fason (me material porositësi). Pikërisht në këtë sektor janë të punësuar edhe pjesa më e madhe e njerëzve më pak të paguar në vend.

Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, diskutoi dje gjatë një takimi me Shoqatën e Fasonistëve për propozimin mbi rritjen e pagës minimale. “Do të mbështesim propozimin e rritjes së pagës minimale”, tha Klosi, duke premtuar edhe një diskutim të gjerë për këtë çështje. Ai deklaroi se edhe nga fasonistët ka mbështetje për këtë diskutim. Kërkesa për rritjen e pagës minimale është diskutuar edhe në Këshillin Kombëtar të Punës, mbajtur në ambientet e Panairit të Punës.

Ministri Klosi deklaroi se rritja e pagës minimale është mbështetje edhe për punonjësit që kualifikohen në qendrat e formimit profesional. Qeveria parashikon të realizojë rritjen e pagës minimale, duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm. Por teksa ekzekutivi ka në planin e tij rritjen e pagës minimale, edhe opozita nuk ka munguar ta përfshijë atë në premtimet e saj. Duke bashkëbiseduar me disa punonjëse, gjatë një vizite në disa sipërmarrje, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka bërë të ditur edhe pjesë nga programi ekonomik, ku përfshihen edhe pagat.

“Partia Demokratike, krahas uljes së taksave dhe tatim fitimit për biznesin, do të rrisë pagën minimale. Në këtë mënyrë, me uljen e taksave dhe lehtësirat për biznesin, do të ketë paga më të mira dhe më shumë vende pune”, mësohet se është shprehur kreu demokrat. Ai nuk ka zbuluar ndonjë nivel të synuar për sa i përket pagës minimale, por ka përsëritur se një PD e rikthyer në qeverisje do të vendosë një taksën e sheshtë 9 %, tatim mbi fitimin 9 %, kontributet shoqërore 9 %, taksën mbi dividentin 0 % dhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar 15 %. Basha ka premtuar edhe rritje të pensioneve e rishikim të reformës që po zbatohet prej pak kohës nga qeveria “Rama”. Ndonëse pa shpjeguar faturën financiare të premtimeve të tij, kreu demokrat ka vijuar të “lëshojë” të tjera premtime edhe për çmimin e energjisë elektrike.

Paga minimale përfitohet kryesisht nga të punësuarit në biznesin fason. Sipas të dhënave, në këtë biznes numërohen rreth 500 ndërmarrje, të mesme e të vogla, me rreth 100.000 të punësuar, nga shtresat më të varfra të shoqërisë. Tërheqja e kompanive të huaja, që kanë nevojë për krahun e lirë të punës në Shqipëri, është vlerësuar si ndër avantazhet e vendit tonë. Megjithatë niveli i pagesave për të punësuarit në këtë sektor mbetet ndër më të ulëtit në Europë. Paga minimale është shuma minimale kontraktuale e parave që punëdhënësi duhet të paguajë për orarin me ligj të caktuar gjatë një jave. Nën këtë shumë minimale nuk është e mundur ligjërisht të paguhet paga, në të kundërtën punëdhënësi ndëshkohet nga inspektimet e autoriteteve shtetërore.

Rajoni

Pagat minimale mujore në vendet e rajonit të Ballkanit janë ndër më të ulëtat në Evropë tregon një hulumtim i bërë vitin e shkuar nga “Anadolu Agency”. Nga vendet e rajonit, pagën më të ulët minimale marrin qytetarët e Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë, ndërsa qytetarët e Kroacisë, kanë minimalen bindshëm më të lartë mujore. Minimalja më e lartë në Bashkimin Evropian është në Luksemburg, 1.923 euro, që është 15 herë më shumë nga paga më e ulët minimale në Ballkan, e cila është rreth 130 euro. Paga minimale në Kosovë shkon nga 130 deri 170 euro. Në Maqedoni paga minimale mujore është 131 euro, në Shqipëri 149 euro (në varësi të kursit të këmbimit), ndërkohë që në Serbi minimalja mujore është 174 euro. Nga vendet tjera të rajonit paga minimale mujore në Malin e Zi është 193 euro, sa është edhe në Bosnje dhe Hercegovinë./shekulli/

Etiketa: , ,