E shtunë, 9 Nëntor 2013 
Prishtinë, 9 nëntor – Qeveria e Kosovës e ka dënuar ashpër atë që ndodhi një ditë më parë në Raincë të Preshevës nga shteti serb. Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, në emër të Qeverisë, ka thënë se konfiskimi i librave shqip nga forcat serbe, është i papranueshëm.
Ai ka paralajmëruar se do t’i kundërpërgjigjen shtetit serb dhe se këtë çështje do ta ngrenë edhe në Bruksel dhe te ndërkombëtarët. E, ajo që ishte në fillim të javës në këtë zonë, ministrja Vlora Çitaku, thotë se ka parë edhe vetë se gjendja e shqiptarëve atje është shumë e keqe dhe për të duhet të merren masa, transmeton KTV. Edhe partitë opozitare kanë reaguar ndaj konfiskimit të librave shqip në Preshevë. Akt qyqar dhe vandal e ka quajtur Lidhja Demokratike e Kosovës këtë veprim të shtetit serb.
Për zyrtarë të lartë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ky veprim i ndërhyrjes së Policisë serbe nëpër shkolla, është shovinist, kurse për Lëvizjen Vetëvendosje, ky është një terror. Partitë i bëjnë thirrje kryeministrit Thaçi, Qeverisë së Shqipërisë dhe faktorëve të tjerë ndërkombëtarë të mos rrinë duarkryq dhe të bëjnë presion mbi Serbinë që këso aktesh të mos përsëriten.
Etiketa: Kosova, lugina e presheves, Raincë