E martë, 12 Janar 2016
Prishtinë – Kryeministri Isa Mustafa tha se ky është një vendim shumë i rëndësishëm, sepse praktikisht po ju njihet përvoja e plotë e punës të gjithë atyre që kanë pasur 15 vjet përvojë pune si kusht për ta fituar statusin e pensionistëve kontributdhënës.
Qeveria e Kosovës mori vendim për rritjen e pensioneve të kontributdhënësve. Përmes këtij vendimi çdo pensionisti i cili ka 15 vjet përvojë pune në mënyrë automatike do t’i njihet përvoja shtesë e punës prej 25 vitesh. Kjo nënkupton që pagesa e pensionit kontributiv i cili është sot 140 euro të rritet në 158 euro si bazë fillestare për kalkulimin e kontributeve apo kualifikimeve tjera, thuhet në kumtesën e Qeverisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kryeministri Isa Mustafa tha se ky është një vendim shumë i rëndësishëm, sepse praktikisht po ju njihet përvoja e plotë e punës të gjithë atyre që kanë pasur 15 vjet përvojë pune si kusht për ta fituar statusin e pensionistëve kontributdhënës.
“Në mungesë të dokumentacionit të kompletuar për këtë pjesën tjetër të përvojës qoftë gjatë okupimit, qoftë gjatë luftës dhe me këtë po arrin baza e pensionit kontributdhënës në 158 euro. Mbi këtë 158 euro mbetet që pastaj të hartohen dhe të qartësohen kriteret nga komisioni lidhur me efektet që do t’i ketë kualifikimi në pensionet kontributdhënëse”, tha kryeministri Mustafa, duke bërë të ditur se efektet e këtij vendimi më pas do të jenë në përputhje me nivelin e shkollimit dhe kualifikimeve.
Rritja e pensioneve do të paguhet në mënyrë retroaktive nga 1 janari i vitit 2016.
Në Kosovë të gjithë qytetarët më të vjetër se 65 vjeç, pavarësisht nëse kanë punuar apo jo, pranojnë kompensim mujor prej 75 euro. Të ardhurat e tyre tani për tani nuk janë rritur.
Etiketa: Kosovë, pensionet