E diel, 17 Gusht 2014
Dikur kompania më profitabile në vend, Posta dhe Telekomi i Kosovës (PTK), çdo vit po pëson rënie të fitimit, ndërsa menaxhmenti i kësaj kompanie bashkë me bordin vazhdojnë të mos japin llogari. Investimet e kompanisë, nuk janë duke dhënë rezultat. PTK-ja, para disa vjetësh kishte investuar edhe në Shqipëri, por sot zyrtarisht nuk dihet se çka po ndodh me aksionet e saj. Sipas burimeve të gazetës brenda PTK-së, ato aksione janë shuar dhe nuk dihet se çfarë po ndodh me to. “Po shuhen në heshtje aksionet e Postës dhe Telekomit të Kosovës në telefoninë e 4-t të Shqipërisë. PTK-ja ishte shpallur fitues i tenderit me 7.2 milionë euro në vitin 2009”, ka thënë ky burim. Në raportin e publikuar të PTK-së në vitin 2013, thuhet se nga data 31 dhjetor 2013, asetet financiare në dispozicion për shitje në vlerë prej 240 mijë eurosh, kryesisht përbëhen nga investimi në 4 AL Sh.a, Shqipëri.
PTK-ja aktualisht është duke u ballafaquar me rënie të fitimeve. Vetëm për periudhën pesëmujore PTK-së i kanë rënë të hyrat për 11 milionë euro, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2012. Njohës të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit, vlerësojnë se privatizimi i kompanisë do të ishte shpëtimi. Ata nuk duan të komentojnë projektet dhe aksionet në veçanti, por thonë se qeveria e re duhet të fillojë procesin e privatizimit të PTK-së