Qeveria fshehu raportin e Standard & Poor`s


E diel, 22 Maj 2016

kosova

Prishtinë – Për tre vjet, kompania amerikane për shërbime financiare Standard & Poor’s, punoi për t’i përgatitur Qeverisë së Kosovës vlerësimin kreditor.


Puna kishte nisur në vitin 2010 dhe kishte përfunduar në vitin 2013. Ky raport, deri sot, është mbajtur i fshehtë nga Ekzekutivi, duke mos e treguar përmbajtjen e tij, raporton KTV.

Për gjithë këto vite, zyrtarët e shtetit u arsyetuan se raporti nuk është bërë për shkak të krizave të njëpasnjëshme politike, edhe pse të njëjtin e kishin në zyrë.

Burime të KTV-së brenda qeverisë kanë bërë të ditur se raporti i asaj periudhe nuk i ka përmbushur pritjet e qeverisë, pasi i njëjti ka vendosur vendin në një stad më të keq.

Sipas tij, marrëveshja ka qenë që qeveria të jetë e vetmja që do të vendosë nëse i njëjti raport do të dalë në publik. Qeveria e udhëhequr nga Isa Mustafa ka nisur sërish në të njëjtën kompani një vlerësim të ri.

Detyra e saj do të jetë fuqia e shtetit për të paguar borxhet afatgjate, në të cilat është futur dhe që pritet ta shtojë. Mirëpo, shoqëria civile vlerëson se i njëjti raport mund të jetë shumë i besueshëm, qoftë për donatorët apo edhe për institucionet e tjera financiare dhe kompanitë investuese, në krahasim me të dhënat që i ofrojnë institucionet vendore.