E premte, 30 Tetor 2015
Tiranë – Qeveria hedh poshtë akuzat e bëra dje nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili gjatë seancës parlamentare u shpreh se “qeveria po favorizon kompaninë “Digitalb” duke i akorduar 3 milionë euro me justifikimin se po blen dekodera të transmetimin dixhital për t’iu shpërndarë më pas familjeve në nevojë”.
Në reagimin e saj në faqen “Transparenca.al”, qeveria bën të ditur se dekoderat u janë dhuruar familjeve në nevojë, me qëllim që ato të kenë mundësi të informohen, pas kalimit të të gjitha televizioneve nga platforma analoge, në atë dixhitale.
“Nëpërmjet VKM-së nr. 758, dt. 16.09.2015 “Për ngarkimin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për kryerjen e procedurave të prokurimit për pajisjen me dekodera të familjeve në nevojë përfituese nga skema e ndihmës ekonomike”, garantohet e drejta kushtetuese e çdo qytetari shqiptar për tu informuar nëpërmjet mediave audiovizive edhe mbas dixhitalizimit të plotë të tyre. Strategjia për kalimin nga transmetime analoge në transmetime numerike kërkon të parashikohet subvencionimi për një pjesë të popullsisë, duke dhënë vlera orientuese të shpenzimeve të nevojshme për disa skema subvencioni. Rreth 84 mijë familje në nevojë, përfituese të skemës së ndihmës ekonomike, do të pajisen me dekodera (konvertues të sinjaleve analogë në sinjale numerikë) për të pasur akses të plotë në transmetimin e informacionit nga media audiovizive”, thuhet në reagimin zyrtar.
Më poshtë, në reagim hidhet poshtë pretendimi i Berishës për favorizim të kompanisë “Digitalb”, me argumentin se dekoderat që do t’u shpërndahen qytetarëve në nevojë do të jenë të tipit bazë dhe në asnjë mënyrë nuk do të jenë të pajisur me pajisje përshtatëse për dekodera me pagesë. Kostoja e kësaj nisme është 2.5 milionë euro.
“Shuma e vënë në dispozicion nga buxheti për të bërë të mundur pajisjen me dekodera të 84 mijë familjeve në nevojë është 350 milionë lekë, pra 2.5 milionë euro në total. Pajisja tërësore e familjeve në nevojë ekonomike me dekodera do të realizohet ne periudhën nëntor-dhjetor 2015 si dhe gjatë vitit 2016”, përfundon sqarimin “Transparenca.al”.
Etiketa: Sali Berisha, Shqipëri