Qindra foshnje të paregjistruara në Mitrovicë


E shtunë, 25 Prill 2015

20150424205936719620

Mitrovicë – Në spitalet rajonale, janë të hapura edhe zyrat e gjendjes civile. Prindërit mund t’i regjistrojnë menjëherë fëmijët e porsalindur. Por në Mitrovicë, shumëkush i anashkalon këto zyra.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, 94 foshnja nuk janë regjistruar. Sidoqoftë, për prindërit që e shpërfillin regjistrimin e fëmijës së vet, pason edhe dënimi.

Zyra e Shërbimit të Gjendjes Civile në Mitrovicë është e hapur edhe në objektin e Spitalit Rajonal në këtë qytet, por prindërit e foshnjave të porsalindura nuk i regjistrojnë fëmijët, për ta marrë certifikatën e lindjes.

Për mosregjistrimin e foshnjave brenda një muaji që nga lindja e tyre, prindërit dënohen me gjobë nga 20 deri në 50 euro, në bazë të Ligjit për Gjendjen Civile.

Statistikat e zyrës për Gjendjen Civile në këtë qytet, tregojnë se në vitin 2014, nga 1 mijë e 755 foshnja të lindura, prindërit nuk i kanë regjistruar ende edhe 94 fëmijë, ndërkaq gjatë vitit 2014 kanë paguar gjobë prej 25 eurove, prindërit për regjistrimin e 358 fëmijëve.

Derisa në prill të vitit 2015, kanë lindur 444 foshnja, nga të cilat, prindërit e 61 fëmijëve kanë paguar gjobë, për regjistrimin e fëmijëve pas afatit ligjor, dhe pa regjistruar në këtë vit janë ende 15 fëmijë.

Motra kryesore, Fatime Zeneli, në Repartin e Gjinekologjisë në Mitrovicë, tregon se procedurat për regjistrimin e foshnjave janë shumë të lehta.
Fatime ZENELI – Motra kryesore në Repartin e Gjinekologjisë:Ne i informojmë edhe iu japim dokumentacionin e duhur plus edhe në formë gojore përveç në formë të shkruar secila mami e cila bënë përcjelljen e nanës me fëmijë në shpi iu shpjegon, na e kemi edhe fletoren ku për cdo ditë që bëjmë lëshime i regjistrojmë të cilat i dërgojmë pastaj te zyra civile për regjistrim.

Ndërkaq, punëtorët e zyrës së Gjendjes Civile, thonë se prindërit janë të njoftuar me dënimin që u pason nëse nuk përfundojnë obligimet e tyre për regjistrimin e fëmijëve.

Drejtues të Spitalit Rajonal “Sami Haxhibeqiri”, në Mitrovicë, mosregjistrimin e foshnjave në kohë nga ana e prindërve, e quajnë neglizhencë të prindërve.

Mosregjistrimi i foshnjave, sipas udhëheqësve të Drejtorisë së Administratës së Përgjithshme në këtë Komunë, është më i theksuar nga prindërit e vendeve rurale të Mitrovicës, Skenderajt dhe Vushtrrisë.

Të fundit