Qosja marksist-leninist, çmonte Shqipërinë pa kisha e xhami


E diel, 29 Maj 2016

qosja

Gazeta Shqiptare boton raportin sekret të ish­drejtorit të Institutit të Gjuhës dhe Historisë,
profesor Androkli Kostallarit, drejtuar Komitetit Qendror të PPSH­së, lidhur me vizitën që bëri në Shqipëri, profesori i Universitetit të Prishtinës, Rexhep Qosja.

Sipas dokumentit, i cili publikohet për herë të parë dhe i plotë, akademiku nga Prishtina, i cili asokohe mbronte disertacionin me një punim shkencor mbi figurën e Asdrenit, i ka deklaruar kolegut të tij shqiptar, Androkli Kostallarit, se “studionte marksizëm­leninizmin dhe nuk kishte botëkuptim tjetër përpos atij marksist­leninist, se “vetëm socializmi do ta nxirrte Shqipërinë nga prapambetja e madhe”. Ai po ashtu çmonte Shqipërinë si vendi i parë në botë pa kisha e xhami.

Këto detaje jepen në raportin sekret, ku Qosja del tipik komunist, mbase i pabesueshëm për atë që deklarohet sot.

Në një interpretim thuhet se ato deklarata janë bërë nga Qosja si një haraç i paguar prej tij, për të përfituar lehtësira në punën e tij gjatë qëndrimit në Shqipëri. Por, po të kemi parasysh vizitat e mjaft kolegëve të tjerë të tij në atë periudhë në Shqipëri (Idriz Ajeti, Hajrulla Gorani etj.), asnjë prej tyre nuk ka bërë deklarata të tilla. Njëjtë ndodh edhe me raportin e hartuar për aktorin e famshëm, Bekim Fehmiu.

Një gjë interesante që vihet re në dosje janë edhe disa poezi në dorëshkrim me autorë Jakup Çerajën dhe Agim Vincën, dy që ia kanë besuar krijimet e tyre Qosjes për t’i sjellë në Tiranë dhe për t’i botuar ato në ndonjë gazetë. Kjo porosi u krye, pasi poezia e Vincës u botua.

Vinca në atë kohë ishte frymëzuar nga “akti heroik” i 14­vjeçares Shkurte Pal Vata nga Dukagjini, e cila humbi jetën aksidentalisht teksa punonte si vullnetare në ndërtimin e hekurudhës Rrogozhinë­Fier. Dhe, kësisoj, ai ka shkruar një poezi (apo më saktë një poemë), për vajzën e ndjerë së cilës iu akordua titulli “Heroinë e Punës Socialiste”.

Të fundit